Sport

Defoe i jep lamtumirën Bradleyt me një letër emocionale

Jermain Defoe i ka dhënë lamtumirën fansit të Sunderlandit, Bradley Lowery me një shkrim emocional të postuar në Twitter.

Bradley, gjashtë vjeçar, u diagnostifikua me neuroblastomë më 2013, transmeton Koha.net.

Pas këtij lajmi ai disa herë u paraqitë si maskotë e klubit të tij të dashur, Sunderlandit, si dhe për Anglinë në ndeshjen kualifikuese për Botëror ndaj Lituanisë, ku u fut në fushë përkrah lojtarit të tij të preferuar, Defoe.

Defoe krijoi një lidhje të pabesueshme me Bradleyn, duke e vizituar atë rregullisht.

34 vjeçari e ka përshkruar Bradleyn si mikun e tij më të mirë, në një postim emocional në rrjetet sociale, derisa thekson se guximi dhe kurajo e tij do ta inspirojnë gjithmonë.

“Lamtumirë miku im, do më mungosh shumë. Ndihem i bekuar që Zoti të solli në jetën time për të pasur disa momente të shkëlqyera me ty, dhe për këtë jam mirënjohës. Kurrë s’do ta harroj mënyrën se si më ke shikuar kur jemi takuar për herë të parë, dashurinë e vërtetë në ata sy të bukur”, ka shkruar ai.

Defoe më tutje thotë se nuk ka fjalë të shprehë se çfarë rëndësie ka Bradley për të.

“Vërtetë e kam të vështirë të gjejë fjalët për të shprehur se çfarë rëndësie ke tek unë. Mënyra se si ma thoje emrin, buzëqeshjet e tua kur dole para kamerave si një yll i vogël dhe dashurinë që ndjeva kur isha me ty. Kurajo dhe guximi yt do të vazhdojnë të më inspirojnë për gjatë gjithë jetës. Nuk do ta kuptosh asnjëherë ndryshimin që keni bërë tek unë si person. Zoti të ka në krahë dhe unë gjithmonë do të të mbajë në zemër. Fle i qetë, miku im më mirë”, ka shkruar Defoe.