Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova rrezikon të mos luajë asnjë ndeshje si vendas më 2017

Përfaqësuesja e Kosovës rrezikon seriozisht të mos e luajë asnjë ndeshje në stadiumin e Prishtinës brenda këtij viti.

Shkaktar mund të jetë mosformimi i qeverisë së vendit, pasi Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i duhet të nënshkruajë kontratën e dytë me kompaninë që po i kryen punimet, e cila tashmë është në fazën përfundimtare të punëve, raporton KTV.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i ka thënë Kohavisionit se nëse nuk formohet ekzekutivi brenda pak ditëve, atëherë seriozisht rrezikohen që Përfaqësuesja të luajë përsëri në Shkodër.

Në anën tjetër, drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj, e pranon se do të jetë problem që të ndryshohet ligji për të financuar pjesën e dytë të punimeve në stadiumin e Prishtinës.

Por, ai është optimist se do të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që të mos ndalen punimet.

Nëse dështon Prishtina, zyrtari i Ministrisë së Sportit beson se stadiumi “Adem Jashari” mund të shërbejë edhe për Përfaqësuesen.

Shuma financiare që do të investohet në stadiumin e Prishtinës është rreth 8 milionë euro.

75 për qind e kontratës së parë janë investime të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kurse 25 për qind të Komunës së Prishtinës.

Ndërkaq, kontrata e dytë nuk dihet se kur do të nënshkruhet.