Sport

Prishtina e cilëson të vështirë kundërshtarin

Skuadra më e trofeshme në futbollin e Kosovës, Prishtina, të hënën e ka mësuar kundërshtarin e rrethit të parë të kualifikimeve për Ligën e Evropës.

Kryeqytetasit do të takohen me ekipin nga Suedia, Norkoping, e cila është ndër klubet më të njohura suedeze.

Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës, është përcjellë drejtpërdrejt nga zyrtarët e Prishtinës në lokalet e klubit, ku të pranishëm ishin edhe disa futbollistë.

Trajneri i bardhekaltërve, Arsim Thaçi, e ka cilësuar skuadrën suedeze si kundërshtare shumë të fortë, pavarësisht që nuk ka shumë informacione rreth saj.

Sipas tij, ekipi që ai drejton do të japë më të mirën në dy përballjet që do t’i ketë. Kurse, sa u përket përforcimeve, Thaçi ka thënë se Prishtina nuk do të bëjë më asnjë transferim për ndeshjen e rrethit të parë kualifikues.

Dy futbollistët e bardhekaltërve që kanë përvojë në arenën ndërkombëtare, Armend Dallku dhe Debatik Curri, deklaruan se do ta kenë përballë një kundërshtar të fortë, më të cilën nuk do të donin të takoheshin në këtë fazë.

Sa i përket organizimit për ndeshjen ndaj skuadrës nga Suedia, foli nënkryetari i klubit, Ahmet Kurtolli.

Ndeshjen e parë, Prishtina do ta zhvillojë më 29 të këtij muaji, si mysafire e Norkopingut, kurse takimin e kthimit më 6 korrik në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Fituesi i këtij dueli, në rrethin e dytë do të takohet me fituesin e ndeshjes ndërmjet Sent Johnstonit të Skocisë dhe Trakait të Lituanisë. Kjo është hera e parë që një klub nga Kosova merr pjesë në kualifikimet e Ligës së Evropës.