Liria e Prizrenit e ka arkëtuar një pikë shumë të rëndësishme si mysafire e Feronikelit, duke luajtur baras 1:1, në ndeshjen e javës së 32-të, e cila u zhvillua të shtunën në Drenas.
Në bazë të lojës së shfaqur nga të dyja skuadrat në fushë, barazimi ka qenë epilogu real i këtij takimi, me “Niklin” që e mbyll kampionatin me barazim para shikuesve të vet që ishin në numër të vogël dhe Lirinë që fiton një pikë, e cila ka vlerë të madhe.
Mysafirët treguan qysh në fillim se kishin ardhur për të rrëmbyer pikë, gjë që në fund ia arritën, raporton KTV.
Chibuze në minutën e 2-të dhe Mustafa në të 8-ën, patën mundësi të arta, por në të dyja rastet, intervenoi portieri Maloku.
Vendasit u kundërpërgjigjën me Haxhi Shalën dhe Blerand Kurtishajn, por në të dyja rastet portieri Ruxhi nuk lejoi të mposhtet.
Provoi edhe Maliqi, por gjuajtja e tij shkoi mbi portë.
Pas këtyre rasteve të vendasve, prizrenasit shumë lehtë kanë mundur të gjejnë golin e epërsisë në minutën e 35-të, por fati ia ktheu shpinën Meriton Korenicës, i cili nga gjuajtja e lirë qëlloi tërthorësen.
I njëjti futbollist provoi edhe në minutën e 37-të, por kësaj radhe intervenoi Maloku dhe 45 minutat e parë u mbyllën 0:0.
Pjesa e dytë nisi mbarë për Feronikelin, që në minutën e 57-të, kaloi në epërsi nga pika e bardhë.
Penalltinë e fituar nga Bardhi, e shndërroi në gol, Behar Maliqi, për epërsinë e “Niklit”.
Pas golit të epërsisë, mysafirët kërkonin me ngulm të barazojnë rezultatin.
Në minutën e 58-të, Liridon Fetahaj goditi bukur nga distanca, por intervenoi Maloku.
15 minuta para fundit, mysafirët kërkuan penallti, pas ndërhyrjes në Fetahajn, e cila u cilësua e rregullt nga gjyqtari Burim Jahmurataj.
Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, në skenë doli mesfushori Ilir Mustafa, i cili shënoi me kokë në minutën e 88-të, për të barazuar rezultatin në 1:1, duke e shpëtuar skuadrën e tij nga humbja.
Përfundimisht, Feronikeli – Liria 1:1.
Në javën e fundit të këtij edicioni, Feronikeli është mysafir i Trepçës ’89, kurse Liria në Prizren e pret Hajvalinë dhe me një fitore eventuale, do ta siguronte mbetjen në Superligë edhe për edicionin 2017/2018.