Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Bëhen të ditur emrat e parë pjesëmarrës të Festivalit të 56-të të këngës së TVSH-së

Kanë nisur përgatitjet për Festivalin e 56-të të Këngës në TVSH, i cili si çdo vit mbahet në fund të muajit dhjetor.

Një muaj para fillimit të eventit më të rëndësishëm muzikor në Shqipëri, tashmë kanë nisur të dalin në pah edhe detajet e festivalit si dhe emrat e parë pjesëmarrës, të cilët do të konkurrojnë me këngët e tyre, ku fituesi automatikisht fiton të drejtën e përfaqësimit të Shqipërisë në Eurovizion.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Prezantuesi i njohur Adi Krasta ka konfirmuar se do të jetë prezantues i këtij edicioni të Festivalit të Këngës në Televizionin Shqiptar. Ndërsa sa u përket këngëtarëve tashmë dihen edhe emrat e parë pjesëmarrës.

Klajdi Musabelliu, një këngëtar i dalë nga “Ethet e së premtes”, vjen këtë vit në festival si kantautor. Redon Makashi, Elton Deda e Aleksandër Gjoka, një treshe e fuqishme e muzikës shqipe, këtë vit do të konkurrojnë në këtë festival që mbahet në Pallatin e Kongreseve. Edhe Artemista Mithi, këngëtare e re dhe më pak e njohur për publikun, këtë vit do ta provojë fatin në këtë festival.

“Eurovision Albania” mëson se këngëtarja Denisa Gjezo është një nga artistet që garon për të qenë pjesë e Festivalit të Këngës në RTSH. Denisa, të cilën e njohim përmes klipeve, muzikës live në disa nga ambientet e kryeqytetit dhe si back-vokaliste të këngës “World” në Eurovision 2017, sivjet konkurron me këngën “Zemër ku je”, të kompozuar nga Mario Deda, me tekst të Aurel Thëllimit, orkestruar nga Klodian Qafoku. Ndërsa është përfolur edhe për pjesëmarrjen e dy këngëtareve tjera si Kamela Islamaj dhe Era Rusi.

Këta janë vetëm disa prej emrave që janë zbuluar deri tani, që do të ngjiten në skenën e festivalit këtë edicion.

Por gjithçka nuk mbaron me kaq. Një tjetër këngëtare e cila është bërë e ditur se do të marrë pjesë këtë vit në Festivalin e Këngës së TVSH-së, është Arilena Ara. Lajmin për këtë e ka bërë të ditur faqja e “Eurovision Kosova” në Facebook, teksa ka publikuar një fotografi të këngëtares me kumtimin e lajmit se ajo është njëra ndër pjesëmarrëset e Festivalit të RTSH-së. Madje, Express i KTV-së, sipas disa burimeve, ka kuptuar se Arilena Ara mund të jetë këngëtarja fituese e edicionit të 56-të të festivalit të këngës në Shqipëri.

Kjo nuk është hera e parë që ende pa u mbajtur festivali, fillojnë edhe thashethemet për këngën fituese. Mbetet të shihet se a do ta fitojë Arilena biletën e përfaqësimit të Shqipërisë në “Eurovision 2018”.

Edicioni i 56-të i Festivalit të Këngës do të mbahet më 21, 22 dhe 23 dhjetor. Vitin e kaluar, festivalin e fitoi Lindita Halimi, e cila më pas edhe e përfaqësoi Shqipërinë në “Eurosong”, por nuk ia doli të kualifikohet për në finale.