Showbiz

“Dunkirk” vazhdon dominimin në arkat filmike

Filmi i regjisorit, Christopher Nolan, që flet për Luftën e Dytë Botërore, 'Dunkirk', e fitoi betejën në arkat filmike të Amerikës Veriore për të dytën javë rresht.

Filmi i fitoi më shumë se 28.1 milionë dollarë gjatë fundjavës që e lamë pas dhe deri më tani ka arritur të arkëtojë më shumë se 102 milionë dollarë nga shfaqja nëpër kinematë e Amerikës dhe Kanadasë.

Filmi i animuar, 'The Emoji Movie', debutoi në pozitën e dytë të kësaj liste me 25.6 milionë dollarë të arkëtuara. Filmi i cili i dedikohet një audience të përgjithshme, përfshirë këtu fëmijët dhe të rriturit, deri më tani ka marrë kritika të mira sidomos për humorin e përfshirë në të.

Në vendin e tretë këtë javë e gjejmë filmin, 'Girls Trip', i cili i arkëtoi edhe 20 milionë dollarë ekstra në javën e dytë të shfaqjes. Këto të holla do t’i shtohen shumës së arkëtuar deri më tani që e kap shifrën prej 65.5 milionë dollarësh. Filmi i takon zhanrit komedi dhe në rolin e protagonisteve vijnë aktoret Regina Hall, Queen Latifah, Tiffany Haddish dhe Jada Pinkett Smith .

"Atomic Blonde" debutoi në pozitën e katërt të arkave filmike, me 18.6 milionë dollarë të arkëtuara brenda tri ditëve. Ky është një film i ri amerikan me spiunë, i cili është realizuar nga regjisori David Leitch dhe skenari i tij është shkruar nga Kurt Johnstad. Filmi i mbushur me skena aksion fokusohet në jetën e një spiuneje, e cila detyrohet ta gjejë një listë të agjentëve të dyfishtë, të cilët po përpiqen të ikin në Perëndim në natën e rrëzimit të murit të Berlinit, ngjarje historike që zuri vend në vitin 1989. Në film luajnë aktorët: Charlize Theron, James McAvoy, John Goodman, Til Schweiger, Eddie Marsan etj.

E top pesëshja plotësohet me filmin "Spider-Man: Homecoming", i cili në javën e katërt të shfaqjes i arkëtoi edhe 13.5 milionë dollarë ekstra. Filmi më buxhet të lartë deri më tani nga shitja e biletave nëpër kinema i ka arkëtuar gjithsej 278 milionë dollarë.