Po bëhen pothuajse 2 javë pas sulmit terrorist në “Manchester Arena”, ku këngëtarja Ariana Grande po zhvillonte koncertin e saj, e që mbetën 22 persona të vdekur e mbi 100 të plagosur.
Këtë koncert bamirësie që po e mban sot, këngëtarja e ka paralajmëruar ditë më parë, megjithatë as sulmi i mbrëmshëm në Londër ku mbetën të vdekur 7 persona e 48 të plagosur, nuk e ndalën që ajo të performoj para fansave të saj, për hir të viktimave që humbën jetën në koncertin e saj të parë, transmeton Koha.net.
Një numër i madh i forcave policore është përreth stadiumit “Emirates Old Trafford”, dhe kanë thënë se gjithçka tjetër është nën vëzhgim.
Personat që ishin në koncertin e saj të parë në Manchester i janë ofruar biletat falas, ndërkaq është raportuar se biletat për këtë koncert janë shitur për më pak se 10 minuta.
Nga ky koncert, pritet të fitohen rreth 2,6 milionë dollarë, që do të dërgohen në Fondin e Emergjencës në Manchester dhe do të ndihmohen viktimat dhe familjet e prekura nga sulmi.
Përveç Ariana Grandes, në koncert po marrin pjesë edhe këngëtarë të njohur si Miley Cyrus , Justin Bieber , Katy Perry , Pharrell Williams, Usher, Take That, Coldplay, Niall Horan, Robbie Williams, dhe Black Eyed Peas.