Arbëri

Prishtinasit të kënaqur me punën e Ahmetit, të pakënaqur me parkingje, trotuare, rrugë e gjelbërim

79% e qytetarëve të anketuar nga Iniciativa për Progres janë të kënaqur ose shumë të kënaqur me punën e të parit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ndërkaq, 58% janë të kënaqur me shërbimet komunale, që ofrohen në kryeqytet, raporton KTV.

Këto të dhëna janë pjesë e “Indeksit të kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë”, të nxjerra nga anketimi i rreth 600 qytetarëve rezidentë të kësaj komune.

Nga prezantimi i statistikave del se 76% e qytetarëve janë të kënaqur me shërbimet administrative, 61% me ato shëndetësore, mbi 60% me cilësinë e arsimit dhe infrastrukturën shkollore.

Shumë të kënaqur qytetarët kanë qenë me: transportin publik – 84%, furnizimin me ujë 91% dhe ndriçimin publik – 81%.

Shumë të pakënaqur kryeqytetasit janë me mungesën e parkingjeve – ose 81%.

58% e të anketuarve janë të pakënaqur me trotuaret, 51% të pakënaqur me mirëmbajtën e rrugëve, 49% me hapësirat gjelbëruese.

E, 44% arrin niveli i pakënaqshmërisë me punën e Kuvendit Komunal.

Në mungesë të kryetarit Ahmeti, numri dy i komunës Muhedin Nushi, ka thënë se nuk do të kënaqen me këto rezultate, por do të punojnë në përmirësimin e shërbimeve, me të cilat qytetarët janë të pakënaqur.

Progresin në shërbime administrative, transport dhe transparencë e ka përshëndetur sekretarja e MAPL-së, Rozafa Ukimeraj.

E, i mllefosur me punën e Ahmetit është shprehur, kryeshefi i Kompanisë “Pastrimi”, Feim Salihu, që tha se kishte ardhur me shpresën për t’u takuar me Ahmetin.

Nga të dhënat e prezantuara, del se 86% e qytetarëve nuk kanë marrë pjesë në diskutime publike.

Ndërsa, vetëm 8% e tyre kanë marrë pjesë në takimet për planifikimin e buxhetit, por se mbi 60% të tyre kanë pohuar se kërkesat e tyre janë marrë parasysh.