Kanë vazhduar përplasjet në distancë, përmes rrjeteve sociale, në mes të zyrtarëve politikë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ekzekutivit të Komunës së Prishtinës.
Paralajmërimet e KEK-ut për kolaps të mundshëm energjetik u përdorën nga të dyja palët për akuza e kundër akuza, raporton KTV.
Fillimisht, i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, kishte kërkuar shpjegime nga ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, për këtë çështje.
Përgjigje për këtë, Ahmeti ka marrë të enjten, kur Stavileci në një postim ku thuhet se “Kosova shpëton nga kolapsi energjetik”, e quan Ahmetin “punëtor dembel të Dardan Molliqajt”.
Ndërsa i kërkon atij ta marrë shembull homologun e tij në Tiranë, Erion Veliaj.
“Leni pallavrat e punoni! E ti punëtori nën urdhrat e Molliqit t'kam thanë e po ta përsëris kqyre Erionin e merr mësim prej tij. Nuk është larg Tirana, po me siguri edhe atje priton me shku se e nin veten keq kur e sheh dallimin punëtor/dembel”, kishte thënë Stavileci.
Për të sulmuar Ahmetin, anëtari i kryesisë së PDK-së, ka përdorur edhe një postim të drejtorit te PTK-së, Agron Mustafa, ku ky i fundit demanton pretendimet e Ahmetit, se ndërmarrja që ai e udhëheq është në prag të falimentimit.
Në vazhdimin e “debatit” për kompleksin “Kodrina”, projekt i cili sipas asamblistit të PDK-së Lirak Çelaj, i garanton Ahmetit burgun, anëtari i PDK-së e ka quajtur kryetarin e Prishtinës mjeshtër të “fake news”.
Përgjigje Çelajt i ka dhënë, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri.
“Duhet me i tregu Lirakut qe për fatin e tokave të Komunës vendoset ne asamble, jo te "komandant Daja", ka shkruar Tahiri në “Facebook”, duke aluduar bashkëpartiaku i Çelajt, Azem Syla, ndaj të cilit ka aktakuzë në rastin “Toka”.
Kjo gjuhë e ashpërsuar mes palëve vjen dy muaj e gjysmë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.