Arbëri

Qytetarët, rrugët e kryeqytetit i krahasojnë me ato në Bangladesh

Sa herë që janë pyetur për gropat në rrugët e kryeqytetit, zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë thënë se kanë një kontratë kornizë për mbylljen e tyre.

Nga prilli ishte thënë se do të fillohej me mbylljen e gropave, por që atëherë gjendja në rrugët e kryeqytetit, nuk është përmirësuar, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Pasqyrë e rrugëve të këqija të kryeqytetit janë shumë prej rrugëve në Lagjen e Spitalit.

Pos rrugës “Ernest Koliqi”, mjaft e dëmtuar është edhe rruga “Holger Petersen”, rrugë për të cilën kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti në muajin maj e kishte fajësuar qeverisjen e kaluar.

E derisa kishte njoftuar se janë duke punuar në projektin e ri për këtë rrugë, kishte premtuar mbylljen e menjëhershme të tyre.

Shumë të hëna kanë kaluar nga kjo deklaratë e Ahmetit, por gropat nuk janë mbyllur, njësoj sikurse ato në rrugën “Richard Holbrooke”, e cila mban epitetin e rrugës më të dëmtuar në kryeqytet.

Pos kësaj pjese, gropat nuk mungojnë as në pjesë tjera të qytetit.

E derisa numri i gropave është shtuar, në anën tjetër është vërejtur rënie e intensitetit të punës nga drejtoria e infrastrukturës për mbylljen e tyre.