Arbëri

Prishtina pritet të mbetet keq, komunarët bëhen deputetë

Rritja e Lëvizjes Vetëvendosje në nivel vendi në zgjedhjet e fundit parlamentare mund ta “lë keq” Komunën e Prishtinës.

Edhe pse ende nuk janë certifikuar rezultatet, Lëvizja Vetëvendosje pritet të ketë 31 deputetë në Kuvendin e Kosovës, raporton emisioni “038” në KTV.

Bazuar në një listë jozyrtare që ka rrjedhur në mediat online, 6 kandidatë të kësaj partie, që janë pjesë e ekzekutivit ose Kuvendit Komunal të Prishtinës, kanë fituar votat e mjaftueshme për t’u bërë deputetë.

I pari është Shpend Ahmeti, i cili megjithatë disa herë ka deklaruar se do të mbetet në krye të Prishtinës.

Por, Ahmeti me shumë gjasë do të mbetet pa krahun e tij të djathtë, nënkryetarin Dardan Sejdiu, i cili ka lënë të kuptohet se rrugëtimin e tij politik do ta vazhdojë si deputet në Kuvendin e Kosovës.
 

Sipas të njëjtës listë jozyrtare, votat për deputet i kanë siguruar edhe shefja e kabinetit të Shpend Ahmetit, Fitore Pacolli, drejtori i urbanizmit, Liburn Aliu, dhe drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Bazuar në këtë listë, edhe asamblisti komunal Qëndron Kastrati ka arritur të “gradohet”, pasi ka fituar vota të mjaftueshme për t’u bërë deputet.

E jashtë kësaj gjashtëshe, vota të mjaftueshme për t’u bërë deputete, sipas të njëjtës listë, ka marrë edhe ish-drejtoresha e kulturës, Saranda Bogujevci.

Megjithatë, gjithçka do të qartësohet pas certifikimit të rezultateve për kandidatë nga Komisioni Qendror Zgjedhor.