Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se nëse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk përfundon me sukses dhe së shpejti punët në stadiumin e Prishtinës, komuna do të detyrohet të marrë përsipër mbikëqyrjen e renovimit.
Ahmeti thotë se dëshira e qytetarëve dhe e kryesisë së komunës për të pasur sa më shpejt mundësinë që ndeshjet ndërkombëtare të zhvillohen në kryeqytet, ka shtyrë komunën që t’i japë MKRS-së mbikëqyrjen e renovimit të stadiumit.
“Ua kemi lënë në duar mbikëqyrjen e renovimit të stadiumit që është pronë e komunës. Kemi parë projektin e tyre dhe jemi pajtuar që t’i përkrahim me një milion euro dhe e kemi bërë. Por nëse vazhdon kështu do të detyrohemi të marrim mbikëqyrjen e renovimit të stadiumit tonë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.
