Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Shkencëtarët vërejnë një trend brengosës te fëmijët që nuk flenë sa duhet

Një studim që po vazhdon nga studiuesit në SHBA po përpiqet t’i identifikojë lidhjet midis mungesës së gjumit te fëmijët dhe zhvillimin e çrregullimeve emocionale më vonë në jetë.

Ata kanë zbuluar tashmë se gjumi i pamjaftueshëm çon në më shumë emocione negative te fëmijët, dhe në të njëjtën kohë mund t’i ndryshojnë përvojat e tyre pozitive emocionale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por ekipi tani është duke u përpjekur t’i gjejë lidhjet midis këtij ndikimi afatshkurtër emocional të gjumit të dobët (si ndjenja ters apo e lodhjes në mëngjes), dhe gjasat afatgjata të zhvillimit të depresionit dhe ankthit.

“Ne përqendrohemi në fëmijëri, sepse ngjashëm me problemet me ankthin dhe depresionin, shprehitë dhe modelet e gjumit zhvillohen në fillim të jetës dhe mund të jenë të qëndrueshme”, thotë psikologia klinike Candice Alfano nga Universiteti i Houston.

Për qëllimet e hulumtimit, ekipi e kufizoi përkohësisht gjumin tek 50 fëmijë paraadoleshentë mes moshës 7 dhe 11 vjeç.

Vetëm dy net me gjumë të pamjaftueshëm ishin të mjaftueshme që t’i bënin fëmijët të merrnin më pak kënaqësi nga gjërat pozitive, dhe të kishin më pak të ngjarë t’i kujtonin detajet në lidhje me përvojat pozitive.

Alfano dhe bashkëstudiuesja Cara Palmer nga Sleep and Anciety Centre of Houston po bëjnë thirrje për më shumë studime më të gjata për t’i matur këto efekte me kalimin e kohës derisa fëmijët rriten, transmeton Koha.net. Puna e tyre është duke u financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor (NiMH) në SHBA.

Për ta plotësuar studimin e tyre afatgjatë, hulumtueset e kanë publikuar një artikull në Sleep Medicine Reviews, i cili flet për marrëdhëniet në mes të gjumit dhe stabilitetit emocional në bazë të literaturës shkencore që e kemi deri tani.

Punimi gjen prova se pa gjumë të mjaftueshëm, njerëzit kanë më pak të ngjarë të kërkojnë përvoja pozitive apo shpërblyese nëse ato kërkojnë përpjekje dhe gjatë një periudhe më të gjatë kohore, rritet rreziku nga depresioni dhe cilësia më e dobët e jetesës.

Meqë sistemet tona trupore janë ende në zhvillim si fëmijë, gjumi adekuat është i rëndësishëm për shëndetin e përgjithshëm, thonë studiuesit - edhe pse t’i bindësh të rinjtë që të flenë gjatë natës është më e lehtë të thuhet se të bëhet.

Alfano sugjeron që prindërit duhet ta konsiderojë gjumin si pjesë e rëndësishme e shëndetit të përgjithshëm, ashtu si larja e dhëmbëve, ngrënia e një diete të ekuilibruar ose zhvillimi i aktivitetit të mjaftueshëm fizik.

Gjumi i vonuar, oraret e çrregullta të gjumit dhe gjumi jopushues mund të jenë faktorë të dëmshëm për shëndetin.

“Privimi nga gjumi mund ta krijojë një “stuhi perfekt” për të përjetuar emocione dhe pasoja negative”, thotë Alfano.

Alfano dhe Palmer nuk janë të vetmit që po e hulumtojnë shkencën e gjumit tek fëmijët. Një studim i shprehive të fjetjes në 3.000 fëmijë në Australi në fillim të këtij viti zbuloi se modelet e gjumit mund të ndikojnë në zhvillimin emocional dhe të përqendrimit deri në moshën nëntëvjeçare, përcjell Koha.net.

Në këtë studim, fëmijët të cilët më vonë u diagnostikuan me ADHD kishin nivele dukshëm më të larta të problemeve të gjumit të raportuara nga prindërit, edhe pse nuk është ende e qartë nëse këto probleme ndihmuan që të shkaktojnë çrregullim ose ishin shenja të dallimeve themelore neurologjike që nga fillimi.

Ka edhe përfitime të tjera shëndetësore - një studim i kohëve të fundit i publikuar nga hulumtuesit në Universitetin shtetëror të Ohios zbuloi se parashkollorët të cilët futen në gjumë deri në ora 20.00 kanë dukshëm më pak gjasa të bëhen adoleshentë obesë sesa fëmijët që shkojnë për të fjetur më vonë – ku ata që fjetën pas orës 21.00 i dyfishuan gjasat e zhvillimit të obesitetit më vonë.

Derisa hulumtimet në këtë fushë janë në vazhdim, pesha e provave fuqimisht sugjeron se prindërit duhet t'i inkurajojnë fëmijët e tyre të vegjël që të shkojnë në shtrat herët dhe ta kenë një gjumë të pushueshëm të natës sa herë që të jetë e mundur (dhe po, e dimë se kjo nuk është gjithmonë e lehtë!)