Mjekët i kanë paralajmëruar prej kohësh prindërit që ta vonojnë dhënien e disa ushqimeve foshnjave të tyre për ta ulur rrezikun e ndonjë reaksioni të mundshëm alergjik, por një studim i ri tregon se kjo strategji sigurisht nuk do të ndihmojë.
Studimi i rreth 1.400 fëmijëve konstatoi se kur foshnjave iu dhanë kikirikë, vezë apo qumësht lope gjatë vitit të tyre të parë, ato kishin më pak të ngjarë të bëhen të “ndjeshme” ndaj këtyre ushqimeve të zakonshme alergji-shkaktuese.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdjeshmëria ndaj një ushqimi do të thotë se fëmija rezulton pozitiv në testin e lëkurës (për alergji), transmeton Koha.net. “Ajo nuk nënkupton domosdoshmërisht alergji ushqimore si e tillë, por tregon se fëmija është në atë rrugë”, ka thënë autori i lartë i studimit, dr. Malcolm Sears.
Qëllimi është të zvogëlohet rreziku i ndjeshmërisë, e cila gjithashtu e redukton rrezikun nga alergjia, tha Sears, profesor në departamentin e respirologjisë në Universitetin McMaster në Hamilton, të Ontarios në Kanada.
Autori kryesor i studimit, Maxwell Tran, tha se ky studim së bashku me hulumtimet e tjera, “e mbështet ndryshimin e paradigmës se prindërit nuk duhet të hezitojnë t’u japin foshnjave ushqime alergjike, veçanërisht qumësht lope, kikirikë dhe vezë. Kjo do t’i zvogëlojë gjasat e ndjeshmërisë.” Tran është student i shkencave të shëndetit në McMaster.
Sears e përsëriti: “Sa më herët aq më mirë. Mos kini frikë t’ua jepni këto ushqime.” Por ai shtoi se edhe dhënia e hershme e ndonjë ushqimi nuk garanton se fëmija nuk do të zhvillojë me kohë ndonjë alergji ushqimore.
Tran i ka prezantuar gjetjet e studimit të mërkurën në takimin e American Thoracic Society në San Francisko. Gjetjet e prezantuara në mbledhje janë parë përgjithësisht si preliminare derisa të publikohen në ndonjë revistë shkencore.
Sipas Tran, udhëzimet e mëparshme rekomandonin që të pritet një vit para se të jepet qumështi i lopës dhe produktet e qumështit të lopës, si djathi, jogurti apo akullorja. Mjekët rekomanduan vonimin e dhënies së vezëve deri në moshën 2-vjeçare, ndërsa produkteve që përmbajnë kikirik deri në moshën 3-vjeçare.
Meqë studimet e tjera kanë lënë të kuptohet se dhënia e hershme e këtyre ushqimeve mund të jetë e dobishme dhe jo e dëmshme, studiuesit e studimit të ri e shikuan një mostër të fëmijëve të përfshirë tashmë në një provë të madhe kanadeze të zhvillimit të fëmijëve. Sears vuri në dukje se ky nuk ishte ndonjë grup fëmijësh që do të konsiderohej në rrezik të lartë për alergji.
Pak më shumë se 1.400 fëmijëve nga ky studim u ishte testuar lëkura për ndjeshmëri ndaj alergjenëve në moshën 1-vjeçare. Pyetësorët për të ushqyerit u plotësuan nga prindërit kur fëmijët ishin 3, 6, 12, 18 dhe 24 muajsh, thanë studiuesit.
Studiuesit zbuluan se pothuajse gjysma e foshnjave kishin konsumuar qumësht lope nga mosha 6 muajshe, dhe gjysma tjetër kishin konsumuar qumësht nga mosha 12 muajshe. Vetëm 4 për qind nuk kishin pirë qumësht derisa sa ishin 1-vjeçar, zbuloi studimi.
Vetëm 6 për qind e foshnjave kishin ngrënë vezë në moshën 6 muajshe, ndërsa 76 për qind kishin ngrënë para se t’i mbushnin 12 muaj. Dhe rreth 19 për qind kishin ngrënë vezë pas ditëlindjes së tyre të parë, tregoi studimi.
Prindërit kishin shumë më shumë të ngjarë t’i vononin kikirikët. Vetëm 1 për qind e fëmijëve kishin ngrënë kikirikë në moshën 6 muajshe, dhe 41 për qind kishin ngrënë kikirikë në moshën në mes 7 dhe 12 muajsh. Pesëdhjetë e tetë për qind e fëmijëve ishin mbi 1 vjeç kur konsumuan kikirikë për herë të parë, konstatoi studimi.
Studiuesit zbuluan se konsumi i hershëm i ndonjë prej ushqimeve alergjike ishte i lidhur me një rrezik më të ulët të ndjeshmërisë ndaj atij ushqimi. Dhënia e vezëve fëmijëve para moshës 1-vjeçare i uli gjasat e ndjeshmërisë ndaj cilido nga tre ushqimet e testuara, konstatoi studimi.
Dr. Jennifer Appleyard është shefe e departamentit për alergji dhe imunologji pranë spitalit St. John dhe Qendrës Mjekësore në Detroit, përcjell Koha.net. Ajo tha: “Më parë mendohej se sistemi imunitar është në fluks gjatë tre viteve të para të jetës, dhe nëse ekspozohet gjatë kësaj periudhe të pambrojtur, atëherë mund të zhvillohen alergjitë ushqimore. Por disa nga mendimet e vjetra rreth asaj se si zhvillohen alergjitë dhe se si më së miri duhet të trajtohen ato, po ndryshojnë.”
Ajo tha se prindërit që e ndoqën këtë këshillë dhe pritën t’ua japin fëmijëve të tyre këto ushqime nuk e shkaktuan ndonjë alergji. “Shumë gjëra të ndryshme ndikojnë në alergji... gjërat që i bëjmë mund të ndikojnë në ndonjë rezultat shëndetësor në një farë mënyre, por nuk e kontrollojnë plotësisht atë se si zhvillohen alergjitë”, tha ajo.
Shumë kërkime ende po e hulumtojnë zhvillimin e alergjive, theksoi Appleyard, duke shtuar se aktualisht dhënia e hershme e ushqimeve duket në rregull.
Nëse vini nga një familje alergjike, veçanërisht një familje me alergji ushqimore, Appleyard tha se është më së miri të bisedoni me mjekun tuaj në lidhje me konsumin e ushqimeve të zakonshme që e shkaktojnë alergjinë.