Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Pështyma jonë mban të dhënat për një specie “fantazmë” të njeriut të lashtë

Historia evolucionare e një proteine të pështymës mund ta tregojë ndërmbarështimin mes njerëzve dhe një të afërmi të lashtë enigmatik.

Në pështymë, shkencëtarët kanë gjetur të dhëna se një specie “fantazmë” e njerëzve arkaikë mund të ketë kontribuar material gjenetik për paraardhësit e njerëzve që jetojnë sot në Afrikën Sub-Sahariane.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Hulumtimi është i fundit në një numër gjithnjë në rritje të provave që sugjerojnë se takimi seksual midis specieve të ndryshme arkaike njerëzore mund të mos ketë qenë i pazakontë.

Studimet e kaluara kanë arritur në përfundimin se paraardhësit e njerëzve modernë në Azi dhe Evropë ndërmbarështoheshin me specie të tjera të hershme hominine, duke përfshirë Neandertalet dhe Denisovanët, transmeton Koha.net. Hulumtimi i ri është në mesin e analizave më të fundit gjenetike që tregojnë se afrikanët e lashtë gjithashtu kishin takime romantike me homininë të tjerë të hershëm.

“Duket se ndërmbarështimi midis specieve të ndryshme të hershme hominine nuk është përjashtim - është normë”, thotë Omer Gokcumen, doktor shkence dhe asistent profesor i shkencave biologjike në Kolegjin e Arteve dhe Shkencës në Universitetin e Buffalo.

“Hulumtimi ynë e gjurmoi evolucionin e një proteine të rëndësishme të mucinit të quajtur MUC7 që gjendet në pështymë,” thotë ai. “Kur e shikuam historinë e gjenit që i kodon proteinat, pamë nënshkrimin e përzierjes arkaike në popujt e sotëm afrikanë Sub-Saharianë”.

Hulumtimi u publikua më 21 korrik në revistën Molecular Biology and Evoluation. Studimi u drejtua nga Gokcumen dhe Stefan Ruhl, DDS, doktor shkence dhe profesor i biologjisë orale në Shkollën e Mjekësisë Stomatologjike të UB.

E dhënë emocionuese për pështymën

Shkencëtarët hasën në gjetjet e tyre duke e hulumtuar qëllimin dhe origjinën e proteinës MUC7, e cila ndihmon t’ia japë pështymës konsistencën e saj jargëzuese dhe lidhjet me mikrobet, duke ndihmuar potencialisht për ta çliruar trupin prej baktereve që shkaktojnë sëmundje.

Si pjesë e këtij hulumtimi, ekipi e ekzaminoi gjenin MUC7 në më shumë se 2.500 gjenome njerëzore moderne. Analiza e solli një befasi: Një grup i gjenomeve nga Afrika Sub-Sahariane e kishte një version të gjenit që ishte jashtëzakonisht i ndryshëm nga versionet e gjetura tek njerëzit e tjerë modernë.

Varianti Sub-Saharian ishte kaq i dallueshëm sa që gjenet Neandertale dhe Denisovane MUC7 përputheshin më ngushtë me ato të njerëzve të tjerë modernë sesa varianti i veçuar Sub-Saharian.

“Bazuar në analizën tonë, shpjegimi më i besueshëm për këtë ndryshim ekstrem është introgresioni arkaik - futja e materialit gjenetik nga një specie 'fantazmë' e homininëve antikë,” thotë Gokcumen, përcjell Koha.net. “Ky i afërm i panjohur njerëzor mund të jetë një specie që është zbuluar, si subspecia e Homo erectus, ose një hominin i pazbuluar. Ne e quajmë atë specie “fantazmë” sepse nuk i kemi fosilet”.

Duke pasur parasysh shkallën e ndryshimit të gjeneve gjatë rrjedhës së evolucionit, ekipi llogariti se paraardhësit e njerëzve që e mbartin variantin Sub-Saharian MUC7 u ndërmbarështuan me një tjetër specie të lashtë njerëzore 150.000 vjet më parë, pasi që rruga evolucionare e dy specieve divergjoi nga njëra-tjetra rreth 1.5 deri 2 milionë vjet më parë.

Pse ka rëndësi MUC7

Shkencëtarët ishin të interesuar për MUC7, sepse në një studim të mëparshëm ata treguan se proteina ka evoluar sigurisht për ta shërbyer një qëllim të rëndësishëm tek njerëzit.

Në disa njerëz, gjeni që e kodon MUC7 i përmban gjashtë kopje të udhëzimeve gjenetike që e drejtojnë trupin për të ndërtuar pjesë të proteinës përkatëse. Në njerëzit e tjerë, gjeni i strehon vetëm pesë sete të këtyre udhëzimeve (të njohura si përsëritje tandemike).

Studimet e mëparshme nga studiues të tjerë zbuluan se versioni pesë-kopjesh i gjenit mbronte nga astma, por Gokcumen dhe Ruhl nuk e panë këtë lidhje kur e zhvilluan një analizë më të hollësishme.

Studimi i ri, megjithatë, konkludoi se MUC7 duket se ndikon në përbërjen e mikrobiomeve orale, koleksionin e baktereve brenda gojës. Dëshmia për këtë erdhi nga një analizë e mostrave biologjike nga 130 njerëz, të cilët zbuluan se versione të ndryshme të gjenit MUC7 ishin të lidhura fort me kompozime të ndryshme të mikrobioneve orale.

“Nga ajo që dimë për MUC7, është e logjikshme që njerëzit me versione të ndryshme të gjenit MUC7 mund të kenë mikrobioma të ndryshme orale”, thotë Ruhl, transmeton Koha.net. “Proteina MUC7 mendohet se e rrit aftësinë e pështymës për t'u lidhur me mikrobet, një detyrë kjo e rëndësishme që mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjes duke i pastruar bakteret e padëshiruara ose patogjenët e tjerë nga goja”.