Mund të mos ketë limit se sa mund të jetojnë njerëzit, thotë një studim i ri.
Biologët Bryan G. Hughes dhe Siegfried Hekimi në Universitetin McGill të Kanadasë i studiuan njerëzit më jetëgjatë nga SHBA-ja, Britania, Franca dhe Japonia që nga viti 1968 dhe arritën në përfundimin se trupi i njeriut nuk ka limit maksimal të moshës, transmeton Koha.net.
“Ne thjesht nuk e dimë se cili mund të jetë kufiri i moshës. Në fakt, duke i zgjeruar linjat e trendit, mund të tregojmë se jetëgjatësia maksimale dhe mesatare mund të vazhdojë të rritet shumë në të ardhmen e parashikueshme”, tha Hekimi.
Hekimi vuri në dukje se jetëgjatësia mesatare është rritur shumë gjatë dekadave të fundit dhe duhet të vazhdojë ta bëjë këtë.
“Treqind vjet më parë shumë njerëz jetonin vetëm jetë të shkurtra. Po t'u kishim thënë atyre që një ditë shumica e njerëzve mund të jetonin deri në 100 vjet, ata do të thoshin se jemi të çmendur”, tha ai.
Gjatë shekullit 20 jetëgjatësia mesatare për amerikanët u rrit me rreth 30 vjet në mes viteve 1900 dhe 1998.
Sipas Universitetit të Kalifornisë në Berkeley, në vitin 1900, meshkujt mund të prisnin të jetonin deri në moshën 46-vjeçare dhe femrat zakonisht jetonin deri në moshën 48-vjeçare.
Nga viti 1998, jeta mesatare e meshkujve zgjati 73.8 vjet, ndërsa femrat jetuan 79.5 vjet.
Sot meshkujt mund të presin të jetojnë 76.5 vjet dhe femrat priren të jetojnë 81.2 vjet.
Sidoqoftë, viti 2015 e shënoi rënien e parë të mesatares së jetëgjatësisë në Shtetet e Bashkuara në 20 vjet pasi që mesatarja për të dyja gjinitë ra në 76.3 për meshkujt dhe 81.2 për femrat, përcjell Koha.net.
Sëmundja e zemrës mund të jetë faktor. Numri i amerikanëve që vdiqën nga sëmundjet e zemrës u rrit në vitin 2015 me 168.5 vdekje në çdo 100.000 njerëz.