Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Gatimi për të tjerët ka efekt pozitiv në psikikë dhe zhvillon kreativitetin

Njerëzit të cilëve u pëlqen të gatuajnë shpikin arsye të ndryshme për t’i ngrohur furrat e tyre. Gatimi i tortës për ditëlindjen e dikujt, i ëmbëlsirave për festa apo në përgjithësi gatimi për të tjerët mbart me vete një varg përfitimesh psikologjike dhe ndikon pozitivisht tek njerëzit.

"Gatimi e zhvillon kreativitetin. Shprehja kreative qoftë pikturimi, muzika apo gatimi, i liron njerëzit nga stresi", tha për “Huffington Post”, Donna Pincus, psikologe në Universitetin e Bostonit, transmeton koha.net.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Stresi mund të lidhet me një sërë problemesh mendore dhe fizike, ndërsa gjetja e mënyrave për lehtësimin e stresit është shumë e rëndësishme për një jetë të shëndetshme. Gatimi për të tjerët mund të shërbejë si një mënyrë e mirë e komunikimit me ndjenjat e njerëzve të tjerë. Profesoresha e psikologjisë në Universitetin e Massachusetts, Susan Whitbourne, shpjegon se ushqimi, në mungesë të fjalëve, mund të jetë një mënyrë e shprehjes.

"Personat të cilët kanë problem me shprehjen e emocioneve, mirënjohjes, simpatisë apo dashurisë ndaj dikujt mund ta tregojnë atë nëpërmjet, për shembull, një paste të shijshme", tha Whitbourne.

Infermierja dhe terapistja kulinare Julie Ohana theksoi për “Huffington Post” se në shumë vende ushqimi është vërtet shprehje e dashurisë.

"Të gatuash, të hash dhe komunikosh së bashku është një gjë e bukur", thotë Ohana.

Gatimi kërkon shumë vëmendje, ndërsa përqendrimi në shije, aroma dhe lëvizjet, si rrotullimi i brumit, i lirojnë njerëzit nga stresi. Psikologët gjendjen e njerëzve derisa gatuajnë e lidhin me meditimin.

"Gatimi ju bën të mendoni hap pas hapi, por në të njëjtën kohë mendoni për recetën, enët që ju duhen, për sa persona do ta bëni ndonjë gjellë, a do të jetë ajo e shijshme... E gjithë kjo është një mënyrë e mirë për të vënë mendime të ndryshme në ekuilibër, ndërsa në të njëjtën kohë i harrojmë mendimet e këqija", tha Ohana.

Në fund, përveç përfitimeve të shumta psikologjike gjatë gatimit, kur i bëni të tjerët të lumtur me ushqimet që i keni bërë për ta, ndjenja e kënaqësisë dhe e përmbushjes nuk ka fund.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.