Pas Amerikës dhe Kroacisë janë Austria, Sllovenia dhe Kina adresat ku artisti vizual Alban Muja do të ndalojë për t’i prezantuar punimet në kuadër të disa ekspozitave personale dhe kolektive në dy muajt e ardhshëm.
Muja, së bashku me artisten serbe Marina Abramoviq, në shkurt të këtij viti, janë paraqitur me punime artistike në ekspozitën “The James Gallery” në Nju Jork.
Në këtë galeri amerikane, ai prezantoi performancën që kishte për qëllim të shprehte mungesën e lëvizjes së lirë të kosovarëve në disa shtete.
Njëri nga artistët më aktivë në vend, krahas ekspozitave të shumta, është i angazhuar edhe në disa mediume të kombinuara artistike.
Çdo vepër e tij artistike ka trajtuar fenomene të caktuara sociale të vendit, ndërkohë gjatë kësaj interviste, artisti Muja ftoi artistët e rinj që problemet kolektive t’i trajtojnë lirshëm në format e artit vizual.
Muja ka më shumë se dy vjet që është suspenduar nga Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës, ndërkohë ai tregoi se cilat ndryshime do të mund ta rikthenin atë në këtë institucion të lartë arsimor.
Aktualisht, artisti mitrovicas është ligjërues në disa universitete private në vend, ndërsa ai me projektet artistike, të cilat i prezanton në botë, paraqet komplekset e jetës moderne, zhvillimet sociale, ekonomike e politike të Kosovës dhe rajonit.