Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ndahet nga jeta mjeshtri i ndriçimit, Asllan Hyseni

Është ndarë nga jeta mjeshtri i ndriçimit Asllan Hyseni, punëtor shumëvjeçar i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Me rastin e vdekjes së tij, Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës përmes një telegrami ka ngushëlluar familjarët, miqtë dhe kolegët e tij të shumtë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në këto çaste të rënda për ju, artistët kosovarë bashkëndjejnë me dhembjen dhe me pikëllimin tuaj për njeriun dhe krijuesin e përkushtuar të teatrit. Si një nga profesionistët e paktë në fushën e ndriçimit, Asllan Hyseni, për gati 40 vjet, prej vitit 1980 e këndej, dha kontributin e tij të madh jo vetëm në Teatrin Kombëtar të Kosovës, por edhe në teatrot e tjera të vendit tonë. Falë mjeshtërisë dhe profesionalizmit të tij, morën dritë, shkëlqim dhe pamje ekspresive qindra shfaqje teatrore dhe manifestime të ndryshme me karakter artistik e kulturor”, thuhet ndër të tjera në këtë telegram ngushëllimi.

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës vlerëson se vdekja e Asllan Hysenit është një humbje e madhe për skenën teatrore kosovare. Ai do të mbahet mend dhe do të kujtohet nga ne të gjithë për angazhimin, përkushtimin, bashkëpunimin dhe profesionalizmin e tij në fushën e teatrit.

Për vdekjen e tij, kanë ngushëlluar edhe artistë të shumtë, bashkëpunëtorë të tij, përmes postimeve nëpër rrjete sociale.

Hyseni ka punuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës prej vitit 1980 e këndej, fillimisht si Mjeshtër i Zërimit e, më pas, si Mjeshtër Ndriçimi. Për angazhimin dhe kontributin e tij profesional, në vitin 2012, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është nderuar me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e teatrit.