Komuna e Gjilanit ka bërë sot zbulimin e bustit të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, por që gjilanasit shprehen të zhgënjyer se pse komuna nuk ka ndërtuar një shtatore për heroin kombëtar.
Që nga sot busti i Skënderbeut do të qëndrojë në mes të shtatoreve të Agim Ramadanit, Idriz Seferit, Rexhep Malës e Nuhi Berishës në sheshin kryesor të Gjilanit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër profesorin dhe poetin gjilanas, Beqir Fazliun, Skënderbeu meriton shumë më tepër sesa një bust.
"E meriton Skënderbeu jo një bust, por shumë më tepër, një shtatore të mrekullueshme më të mirë. Është heroi kryesor i shqiptarëve dhe nëse nuk i respektojmë heronjtë, figurat historike, shkrimtarët, poetët, atëherë i ngjajmë një peme e cila nuk ka gjethe dhe menjëherë thahet. Pa kulturë, pa heronj një popull nuk mund të ekzistoj", u shpreh ai.
Edhe qytetari Ramadan Korça shprehet se për figurën e heroit kombëtar më e denjë do të ishte një shtatore.
"Besoj që Skënderbeu meriton të ketë një shtatore jo bust, busti është për Skënderbeun një shenjë shumë e vogël, diçka e vogël. Besoj që kish qenë mire me qenë një shtatore", u shpreh ai.
Ndërsa, qytetari gjilanas Sejdi Rexhepi, thotë se shtatore Skënderbeu do të duhej të kishte në çdo qytet shqiptar.
"Skënderbeu meriton çdo qytet shqiptar ta ketë një shtatore, në çdo qytet", tha ai.
Edhe qytetarja Hatixhe Musiqi, më të përshtatshme e sheh nëse komuna do të ndërtonte një shtatore.
"Për mendimin tim e kish merituar të kishte një shtatore, pasi e kanë sjellë, një shtatore e ka merituar", tha ajo.
Kurse, arsyeja se pse komuna e Gjilanit nuk ka vendosur të bëjë një shtatore për heroin kombëtar Skënderbeun është mungesa buxhetore.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha për KosovaPress se ndërtimi i një shtatoreje këtë vit ka qenë e papërballueshme për komunën që drejton.
"Natyrisht që e ka vendin edhe shtatorja, por është e papërballueshme për Gjilanin në këtë fazë më pas shtatore në kuptimin buxhetor. Ne e kemi programuar nga viti i kaluar e kemi realizuar projektin e bustit për këtë vit besoj shumë që Gjilanit i bën nder. Ne jemi qyteti i 21 shqiptar që e ka bustin e Skënderbeut, janë edhe 90 qytete të tjera që duhet dhe kanë mundësi me bë shtatore", tha kreu i Gjilanit.
Zbulimi i bustit të Skënderbeut në Gjilan u bë në kuadër të organizimeve në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.