Çka mund të mësojnë gjermanët dhe francezët prej serbëve dhe shqiptarëve?

Çka mund të mësojnë gjermanët dhe francezët prej serbëve dhe shqiptarëve?

25 tetor 2017 21:42

Vërtet ka diçka posaçërisht joevropiane te fakti që Ballkani assesi nuk mund të arrijë dimensionet e masakrave evropiane – Maria Todorova, “Ballkani imagjinar”

Me kalimin e viteve, çdo herë e më tepër më pengon të dëgjoj politikanët perëndimorë si flasin për historinë tonë të errët serbo-shqiptare, urrejtjen dhe konfliktet shekullore. Nëse vërtet duan të na ndihmojnë të pajtohemi, do të duhej – e para atyre, natyrisht, këtë duhet ta bëjmë ne vetë – që të nisen nga fakti që, thjesht, nuk kanë të drejtë, shkruan Aleksandar Pavloviq për Kohën Ditore.

Së pari, do të duhej ta dinë se teoricientja amerikane me prejardhje bullgare, Maria Todorova, e ka përshkruar këtë mënyrë të të folurit për serbët dhe shqiptarët, në fakt për ballkanasit në përgjithësi, si ballkanizëm. Kjo do të thotë se neve ballkanasve Perëndimi na sheh me shekuj si “sinonim për kthim tek fisnorja, e prapambetura, primitivja dhe barbarja” (Todorova, 2006, 47), pra, si të egër, të pacivilizuar dhe të prapambetur në krahasim me ata. Dhe përherë të ngatërruar dhe të urryer njëri me tjetrin. Kjo kohë e korrektësisë politike është ideale që të ngremë kokën kundër kësaj. T’i bimë grusht tavolinës e të themi mjaft, e t’u shpjegojmë se të flasësh për ne si një burim të përhershëm të konfliktit dhe primitivizmit është po aq fyese sa t’i quash homoseksualët pedera apo afro-amerikanët zezakë.

Them, gabojnë. Ku, të themi, është ajo urrejtje shumëshekullore në Mesjetë? Nëse i shikojmë fisnikët serbë dhe ata shqiptarë, do të gjejmë shumë martesa të përziera mes tyre. Posaçërisht me vullnet janë martuar dhe përzier mes vete familjet serbe Brankoviq, Balshiq dhe Crnojeviq me ato shqiptare Kastriotët, Arvanitët dhe Topijajt. Dhe këtu nuk ka asgjë të çuditshme dhe të pazakontë – në Mesjetë ka qenë me rëndësi që të mbahen dhe zgjerohen pronat dhe të forcohen aleancat ushtarake e mbrojtëse, ndërsa mënyra më e mirë për këtë ishte të qenit në marrëdhënie farefisnore me fisnikët fqinjë. Dhe për këtë arsye familjet fisnike serbe nga territori i Kosovës së sotme, Maqedonisë, Shkodrës dhe Malit të Zi vullnetshëm janë lidhur me familjet fisnike shqiptare në fqinjësi të tyre. Heroi më i madh shqiptar Skënderbeu është shembulli më i mirë për këtë – babai ka qenë nga familja shqiptare e Kastriotëve, ndërsa e ëma Vojisava me prejardhje serbe; vëllai i madh quhej Sinisha, që është emër serb apo thënë më mirë sllav. Apo, të shikojmë të famshmen “Lidhja e princërve shqiptarë“ nga viti 1444, kur Skënderbeu në Lezhë tuboi familjet shqiptare në zë dhe me to e lidhi aleancën për luftë kundër turqve. Historianët shqiptarë, me pak apo shumë arsye, e shohin atë ngjarje si përpjekjen e parë për bashkim shqiptar, si gjurmë të shtetësisë së ardhshme dhe lëvizjes kombëtare shqiptare. Kjo për mua është paksa e tepruar, por sidoqoftë, në atë takim dhe në atë koalicion fisnikësh të rajonit kanë marrë pjesë krahas familjeve shqiptare Kastrioti, Topia, Arvaniti, Muzakaj, Spana dhe Zakaria, edhe fisnikët serbë nga familjet Balshiq dhe Crnojeviq.

Mirë, do të thoni, ndoshta këtë e bënin nga interesi i vet; po edhe sot politikanët e biznesmenët serbë dhe ata kosovarë bashkëpunojnë, derisa populli i rëndomtë vuan dhe pëson. Mos të ishte Haradinaj në burg për shkak të fletarrestit ndërkombëtar serb, ai sot nuk do të ishte aq i popullarizuar në Kosovë, ndërsa mos ta kishte përkrahur Lista Serbe, ai nuk do të kishte qenë kryeministër. Derisa Haradinaj publikisht porosit Vuçiqin “mos u kap me mua”, në vete mbase mendon të kundërtën – “ti vetëm kapu, të lutem, se mua kurrë më mirë nuk më ka ecur”. Në fund të fundit, mos të “kapej” me dhunë regjimi i Milosheviqit me shqiptarët, Ramushi sot, si në vitet 1990, do të ishte punëtor ndërtimtarie apo roje në ndonjë diskotekë zvicerane. Por t’i kthehemi për pak popullit të rëndomtë në Mesjetë. As aty nuk dimë të ketë pasur ndonjë konflikt, kryengritje, e lëre më një luftë mes serbëve dhe shqiptarëve.

Në “Zakonikun” e perandorit serb Dushanit, në disa vende përmenden shqiptarët dhe atë si blegtorë, të cilët kanë të drejta dhe obligime sikur edhe subjektet e tjera të perandorit. Në fund, duhet thënë edhe se në Mesjetë natyrisht nacionaliteti si ide ende nuk ishte i zhvilluar – shumë më me rëndësi ishte se cilës klasë i takon sesa çfarë prejardhje ke, me cilën gjuhë flet apo cilit Zot – atij ortodoks apo katolik – i lutesh. Kështu, kur në “Zakonik” flitet për serbët në njërën anë dhe vllehët e arbanasit në anën tjetër, kjo para së gjithash ka të bëjë me rregullat që vlejnë për fshatarët që punojnë tokën dhe blegtorët, e më pak për serbët dhe shqiptarët në kuptimin e tyre të sotëm etnik.

Ngjashëm mund të thuhet edhe për shekujt të cilët serbët dhe shqiptarët i kaluan në Perandorinë Otomane. Kjo perandori nuk ishte fort e ngarkuar me përkatësinë etnike – ishte e ndarë në vilajete dhe pashallëqe në të cilat bashkëjetonin myslimanët, ortodoksët, katolikët dhe hebrenjtë. Sigurisht, nuk ishte aty gjithçka mjaltë e qumësht; myslimanët kishin të drejta goxha më të mëdha dhe paguanin taksa më të vogla, por me rëndësi është të kuptohet se të gjitha bashkësitë fetare kishin autonomi dhe me to në jetën e përditshme administronin dhe për shkeljet kryesisht i gjykonin krerët e tyre fetarë. Natyrisht, me dobësimin e Perandorisë Otomane dobësohej edhe pozita e të krishterëve dhe gjithnjë e më shumë përkeqësohej, por deri nga fundi i shekullit XIX mund të themi se nuk ekziston asnjë konflikt më i madh mes serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa deri para pak kohe asnjë në të cilin si tërësi qëndronin njëri popull përballë tjetrit.

Po të shikojmë, si shembull, se si në atë kohë ishin punët në Perëndim. Po a nuk ishte e gjithë Evropa Perëndimore e tërbuar prej luftërave politike dhe qytetare që nga Mesjeta, ndërsa në luftërat fetare mes katolikëve dhe protestantëve deri te shekulli XVII? Të përmendim vetëm disa shembuj nga më të njohurit – të ashtuquajturën Luftë Njëqindvjeçare mes Anglisë dhe Francës, e cila në fakt zgjati – me ndërprerje – prej vitit 1337 deri më 1453, pra, gati dyqind vjet! Në të ashtuquajturën Nata e Bartolomeut, më 1572, katolikët francezë brutalisht kanë vrarë dhjetëra e mija bashkëkombës të tyre që, po ashtu, ishin të krishterë vetëm që kishin prirje reformatore. Në të ashtuquajturën Luftë Tridhjetëvjeçare që ndodhi në Anglinë Perëndimore mes viteve 1618 dhe 1648 pësuan 8.000.000 njerëz! E kështu me radhë.

Pastaj, mund të mos pajtohemi rreth asaj nëse dhe në ç’masë të parët tanë ballkanikë kishin dashuri për hebrenjtë, por nuk di për asnjë pogrom ndaj hebrenjve para Luftës së Dytë Botërore që ka qenë i ngjashëm me krimet të cilat ndaj tyre u kryen në histori në Evropën Perëndimore. Nga mbretëria angleze hebrenjtë, deri edhe i fundit u dëbuan më 1290, ndërsa nga ajo spanjolle më 1492. Shumë prej këtyre hebrenjve spanjollë, sefardëve gjetën strehim këtu në Ballkan ku pasardhësit e tyre jetuan si bashkësi deri në ardhjen e gjermanëve më 1941. Madje edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, i vetmi shtet në Evropë ku nuk ka pasur vrasje dhe deportim masiv të hebrenjve ishte Shqipëria – edhe pse fillimisht ishin nën okupim italian e më pas gjerman, shqiptarët me kokëfortësi i mbaheshin traditës së tyre të vjetër të mikpritjes dhe besës, duke i fshehur hebrenjtë nëpër shtëpitë e tyre. Derisa numri i hebrenjve në vendet e tjera evropiane gjatë luftës u reduktua për 90 apo 95 për qind, Shqipëria nga lufta doli me popullatë 11 herë më të madhe hebreje sesa që e kishte para luftës!

Ku janë, pyes unë, ato konflikte vëllavrasëse dhe ato masakrat në Ballkan në ato kohë, e edhe pas tyre? Ku janë shembujt e urrejtjes së tillë etnike mes nesh që do të mundë të krahasohej me konfliktet katoliko-protestante apo armiqësitë gjermano-franceze e francezo-angleze? Ku janë progomet e hebrenjve prej Mesjetës deri në kohët moderne në Kragujevc, Krushevc, Krujë apo Gjirokastër? Po, nuk ka. Siç e thotë deklarata cinike që e mora për moto të këtij shkrimi nëse në diçka vërtet nuk jemi evropianë, atëherë kjo është për atë që kurrë nuk jemi urrejtur dhe nuk kemi luftuar aq gjatë dhe aq përgjakshëm siç kanë bërë perëndimorët.

Ta përmbylli. Nuk e kam qëllimin t'i hesht apo reduktoj konfliktet që, esencialisht në kohët moderne, kanë ndodhur mes serbëve dhe shqiptarëve, e aq më pak të shmang përgjegjësinë tonë për ato – përkundrazi, do të ishte jashtëzakonisht e vlefshme dhe e dobishme për marrëdhëniet tona nëse përgjegjësit për konfliktet e paradokohshme dhe ata që kryen krimet më në fund do të futeshin në burg, ku edhe e kanë vendin. Por meqë në media si në ato tonat ashtu edhe në të huajat, gjejmë pothuajse vetëm tema që lidhen me konfliktet dhe krimet tona, më duket e rëndësishme të insistohet në atë që kjo nuk është pamja dhe gjendja jonë e vetme, e as më e rëndësishmja dhe që marrëdhëniet tona prej kohëve të lashta e deri më sot përmbajnë shumë shembuj dhe ngjarje pozitive. Shembuj të tillë përfshijnë, të përmendi vetëm disa, lidhjet mesjetare dinastike dhe familjare, kryengritjet e përbashkëta kundër turqve, këngët popullore që flasin për heronjtë e njëjtë siç është Marko Kraleviqi dhe Musa Kesexhia dhe në të cilat shihet një respekt i thellë i ndërsjellë, shqiptarët që kanë marrë pjesë në kryengritjen e Parë dhe atë të Dytë serbe, dhe më vonë përpjekjet që ata disi të afrohen apo madje edhe t'i bashkohen Kontesë së Serbisë, intelektualët majtistë serbë të cilët nga fillimi i shekullit njëzet angazhoheshin për Shqipërinë e pavarur dhe krijimin e Konfederatës ballkanike të bazuar në barazi, luftërat e përbashkëta partizane në Luftën e Dytë Botërore, ndërtimin e Shqipërisë pas luftës të cilën e kanë ndihmuar me vrull komunistët serbë dhe ata jugosllavë, deri te Rezoluta e Informbyrosë, filmat e përbashkët, shfaqjet, aktorët dhe bashkëpunimin e larmishëm kulturor si dhe shumë gjëra të tjera. Andaj, do të ishte mirë që, së pari, ne të ndalim përhapjen e asaj teze insistuese dhe të pasaktë për urrejtjen dhe konfliktet tona shekullore dhe të përkujtojmë se Evropa mbytej në luftëra të llojllojshme derisa këtu në Ballkan jetohej bashkërisht, e më pas edhe që bashkë t'i heshtim ata zëra negativë perëndimorë për ne dhe t’ua shpjegojmë se ata, në fakt, mund të mësojnë shumëçka prej nesh. Bashkimi Evropian është në krizë – ndoshta ndonjë leksion për nderin tradicional ballkanik, besën, mikpritjen, respektin për të moshuarit, përkushtimin për familjen dhe fisin, do t'u shërbente mirë në këtë kohë krizash.

(Autori i tekstit, Aleksandar Pavloviq, është bashkëpunëtor shkencor në Institutin për Filozofi dhe Teori Shoqërore nga Beogradi. Ka diplomuar dhe magjistruar letërsinë dhe teorinë e letërsisë në Fakultetin Filologjik në Beograd, ndërsa ka doktoruar në Universitetin e Nottingham-it. Ka marrë pjesë në disa projekte të lidhura me studimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare dhe promovimin e bashkëpunimit në rajon, dhe është njëri prej redaktorëve të librit “Figura e armikut: ripërfytyrimi i marrëdhënieve shqiptaro-serbe” (Qendra “Multimedia”, Prishtinë, 2016). Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit “Tejkalimi i armiqësisë: ndërrimi i perceptimeve serbo-shqiptare”, i realizuar nga qendra “Multimedia” nga Prishtina në bashkëpunim me Institutin për Filozofi dhe Teori Shoqërore nga Beogradi, me përkrahjen e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë dhe nga iniciativa PERFORM, për përkrahje të shkencave shoqërore në Ballkanin Perëndimor)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme