Më 5 shtator mbushen 20-vjet qysh se u largua nga kjo jetë Nëna Tereze. Në këtë përvjetor bëhet edhe shugurimi i Katedrales në Prishtinë, që mban emrin e saj. Ajo ndërroi jetë vetëm një javë pas vdekjes tragjike të princeshës Dajanë.
Nëna Tereze e kishte përjetuar rëndë vdekjen tragjike të princeshës së Uellsit. Ato kishin qenë shumë të dashura. Nëna Tereze kishte mbajtur lidhje të ngushta dhe e respektonte këtë princeshë të famshme, e cila kishte bërë shumë për të varfrit dhe për largimin e minave nëpër ish zonat e luftës. Nënë Tereza e nderonte misionin humanitar të kësaj princeshe moderne.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjatë një vizite në New York, në qershor të vitit 1997, princesha Dajana e vizitoi Nënën Tereze në Misionin saj Bamirës në Bronx.
Vizita e Dajanës në këtë lagje te varfër u prit mirë nga Nëna Tereze dhe nga mjetet amerikane te informacionit. Nëna Tereze dhe princesha Dajanë biseduan gjerësisht, në lidhje më varfërinë dhe problemet e tjera urgjente të shoqërisë. Në fund të atij takimi u fotografuan së bashku. Ajo fotografi u bë e njohur në terë botën. Princesha më e bukur dhe më elegante në botë u fotografua me Nënën më të dashur dhe më të nderuar të njerëzimit.
Në këtë rast ishin bashkuar mëshira e mirësia me bukurinë dhe elegancën. Pas lajmit për vdekjen e saj tragjike Nëna Tereze ishte lutur për dritë në amshim dhe për dy djemtë e saj jetim. Për lutjet e Nënës Tereze u njoftua botërisht . Në shenjë nderimi dërguam në Konsullatën Britanike një tufë lule për princeshën Dajanë. Ceremonia e mortit të princeshës Dajanë u zhvillua në fund të javës së parë të shtatorit 1997. Londra ato ditë ishte në qendër të vëmendjes botërore.
Ishte ditë e hënë rreth orës 9 të mëngjesit , rikujton Gjekë Gjonlekajm ish-gazetar e aktualisht botues në New York. Në New York isha ulur në një dhomë të zyrës dhe po lexoja shtypin amerikan. Pas pak hyri në dhomën time sekretarja Patricia Calvache dhe më pyeti: “A ke dëgjuar kush ka vdekur. Jo i thashë nuk kam dëgjuar.
Ajo tha: ”Mother Tereza died” (Ka vdekur Nëna Tereze). Për mua ishte lajm pikëllues. Sytë e mi u mbushën me lot si të kishte qenë nëna ime. E kisha takuar më 15 qershor 1997 më pak se tre muaj para largimit të saj nga kjo jetë. E mbaj mend si sot se gjatë atij takimi kishte qenë shumë e përzemërt. Më kishte folur gjerësisht për Shqipërinë dhe për shqiptarët, për misionet e saj në Kinë , bile më kishte ftuar për vizitë ne Kalkutë. Gjatë bisedës bëra një koment për shëndetin e saj: ”Nënë Tereze dukesh mirë në fytyrë që do të thotë se je mirë me shëndet”. Ajo u përgjigj: ”Mbase dukem mirë, por shiko gjithë këto aparate në trupin tim. Për një defekt të vogël ose për fikjen e një baterie zemra ime mund të ndalet përgjithmonë. Siç duket kishte një parandjenjë të fortë se mund të ndodhë diçka e tillë. Fatkeqësisht ashtu kishte ndodhur. Natën vonë, më 5 shtator 1997, ishte fikur rryma elektrike në dhomën e saj të gjumit, dhe zemra e saj kishte pushuar një herë e përgjithmonë. Më 5 shtator në orën 10 të mëngjesit më thirri “Zëri i Amerikës” në telefon për një intervistë për mortin e saj. Gazetarët e Zërit, sidomos Elez Biberaj, i kishin të njohura lidhjet e mia me Nënën Tereze.
Një ditë më vonë u njoftua botërisht se ceremonia e varrimit të saj do të mbahej me 13 shtator në Kalkutë dhe do të jetë e nivelit më të lartë, ashtu siç ishte bërë për Mahatma Gandin dhe Xh.Nehrun. Pasi më kishte ftuar për vizitë dhe i kisha premtuar se do t’ia plotësoj dëshirën, e ndjeva detyrë morale pjesëmarrjen time në funeralin e saj. Ajo më kishte ftuar në rolin e gazetarit shqiptar për të më treguar punët që kishte bërë atje. Bile më porositi të mos shkoja gjatë verës, sepse bënte vapë e madhe. Më në fund u nisa për të qenë atje me kohë. Lidhja ajrore ishte: New York-Bukuresht-New Delhi- Kalkutë. Pata fatin e mirë, sepse në Bukuresht u bashkova me kryetarin e opozitës shqiptare Prof.Dr. Sali Berishën. Ai vinte nga Roma dhe ishte vetëm ashtu siç isha edhe unë. Pas disa orësh u nisëm për në New Delhi. Gjatë fluturimit ai flinte shumicën e kohës. U zgjua nga gjumi një orë para se të arrinim në New Delhi. Filluam të flasim për Indinë. Prof.Dr.Berisha kishte shumë njohuri për këtë vend. Fliste në hollësi për malet dhe lumenjtë historikë të Indisë, sidomos për lumin Gang. Pas një pritjeje të shkurtër në Deli u nisëm për Kalkutë. Qeveria e Indisë kishte organizuar pritje madhështore për të gjithë udhëheqësit dhe personalitetet botërore. Një pritje e e tillë u bë edhe për Sali Berishën. U prit me të gjitha ceremonitë shtetërore. Këto nderime u bënë edhe për mua, sepse isha me Sali Berishës.
Pavarësisht se në atë kohë nuk isha gazetar i Zërit të Amerikës, vajta në Indi me iniciativë personale. Elez Biberaj më ngarkoi me detyrën e korrespondentit special të Zërit të Amerikës. Ai më krijoi të gjitha mundësitë për këtë punë. Pas ceremonive në aeroport u nisëm për në hotel. Rrugës pamë mjerimin që vështirë mund ta imagjinohej. Nëpër trotuare njerëz të shtrirë për vdekje, që kishin pamjen e skeleteve të gjalla. Sali Berisha nuk bënte komente, lëvizte kokën dhe dukej shumë i mërzitur. Kur arritëm në hotel i thashë Berishës, nuk kam rezervim për hotel. Para se të na njoftonin nëse ka ndonjë dhomë të lirë ose jo, iu luta Berishës që nëse nuk ka dhomë të lirë të më pranonte në dhomën e tij me ndonjë shtrat ekstra. Ai tha po, nuk ka problem. Por pas një pritjeje të shkurtër gjetën një dhomë për mua. Nuk e harroj kurrë sjelljet vëllazërore dhe fisnike të Sali Berishës në Indi. Vajtja nga hoteli për në Kishën e Shën Tomës ku ishte vendosur për nderime e homazhe trupi i pajetë i Nënës Tereze ishte organizuar nga qeveria. Rrugët e Kalkutës ishin të pakalueshme, nga miliona qytetarë jo vetëm nga Kalkuta, por nga të gjitha viset e Indisë. Vetëm me ndërhyrjen e autoriteteve të qytetit, përndryshe ishte e pamundur arritja jonë në Kishën e “Shën Tomës”. Para se të hynim në kishë gazetarët amerikanë dhe evropianë iu drejtuan Sali Berishës për problemet politike në Shqipëri.
Ai ndër të tjera tha: ”Sot jemi në Kalkutë për varrimin e Nënës Tereze e jo për çështje politike. Pas nënshkrimit në “ Librin e Zisë” bëmë nderimet e rastit para kufomës së Nënës Tereze. Radhët e qytetarëve për homazhe ishin tepër të gjata. Ata kishin ardhur atje edhe nga viset më të largëta të Indisë. Mbanin në duart e tyre lule dhe shumica qanin me lotë ndërsa bënin homazhe. Grumbulli i luleve e bënte të pamundur lëvizjen në kishë dhe grupe të caktuara i largonin me shpejtësi. Njerëzimi nuk ka përjetuar kurrë një dhimbje të tillë. India kishte shpallur tre ditë zie. Ishte ndaluar muzika në vende publike për tre ditë e net. Flamujt kombëtarë ishin ulur në gjysmë shtize. Edhe lokalet e natës ishin mbyllur. Ishte ndaluar alkooli. Në Kishën e “Shën Tomës” takuam shqiptarë nga Evropa dhe Amerika. Disa nga ata flisnin uratë në gjuhën shqipe, midis tyre ishin edhe dy tre meshtarë shqiptarë. Ajo natë e dhimbshme më kujtonte mortin e gjysheve shqiptare.
Të nesërmen, më 13 shtator, në stadiumin Vaxhpaxhi në praninë e shumë autoriteteve botërore u tha mesha për shpirtin e saj. Meshën e drejtoi kardinal Sodano, sekretar i Shtetit të Vatikanit, i dërguar special i Papës Gjon Palit të Dytë. Në atë meshë madhështore kishin marrë pjesë dhjetëra mijëra qytetarë dhe një numër jashtëzakonisht i madh personalitetesh botërore. India kishte vendosur që Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, të vendoste i pari kurorë lulesh pranë kufomës. India e bëri këtë sepse Nëna Tereze ishte shqiptare. Ky ishte një nderim i veçantë për Shqipërinë.
Pas meshës dhe ceremonisë trupi i saj i pajetë ishte vendosur në shtratin e topit, ku më parë ishin vendosur Gandi dhe Nehru, dhe shumë personalitete të tjera të Indisë. Në rrugë e sipër për varrim, mbesa e Nënës Tereze-Age dhe djali i saj ishin ulur të parët pas kufomës, pas tyre ishin ulur kardinal Sodano dhe Imzot Rrok Mirdita. Ata dhe disa autoritete të tjera fetare dhe politike shkuan në Shtëpinë e Nënës për varrimin e saj. Pas vendosjes në varrin e saj ata u larguan dhe filluan vizitat e shumë personaliteteve të tjera.
Delegacionin amerikan e drejtonte zonja e parë e Amerikës, Hillary Clinton. Të nesërmen më 14 shtator zhvillova një intervistë me superioren e Misionit Bamirës, Nirmala Joshin. Ajo më tregoi relikte të Nënës Tereze që i kishte sjellë nga dhoma e saj. Zhvillova intervista me Profesor Rexhep Meidanin, Imzot Rrok Mirditën, Bujar Bukoshin dhe Sali Berishën. Shqipëria kishte qenë shumë e përgatitur për këtë ceremoni, ndërsa Kosova jo. Nga autoritetet kombëtare dhe fetare të Kosovës ishte i pranishëm vetëm Bujar Bukoshi. Ishte aty edhe gazetarja e “Rilindjes”, Evliana Berani. Kishin ardhur edhe disa shqiptarë të Kosovës nga dy tri vende të Evropës Perëndimore.
Delegacioni fetar e kombëtar i Shqipërisë ishte i madh. E pyeta Bujar Bukoshin për mungesën e Kosovës? Ai nuk më dha asnjë përgjigje. Pjesëmarrja e shqiptaro-amerikanëve të Detroitit ishte shumë e madhe, ndërsa e New Yorkut tepër e vogël. Atë ditë Kalkuta u bë një vend i tretë i shenjtë për shqiptarët. Pas Jeruzalemit e Mekës shqiptarët do ta vizitojnë edhe Kalkutën si një vend të shenjtë. Shtëpia dhe Varri i Nënës Tereze do të vizitohen përgjithmonë nga mbarë njerëzimi. Atje kam parë gazetarë të kanaleve radio-televizive më shumë se asnjëherë në jetë. Të gjithë kishin qenë në Londër për funeralin e princeshës Dajanë. Reportazhin e fundit për Zërin e Amerikës e mbylla me këto fjalë: ”Këtu në Gjirin e Bengalit në dheun e Kalkutës jo larg Maleve Himalaje po e lëmë në përjetësi bijën më fisnike të racës arbërore. Për “Zërin e Amerikës”, Gjekë Gjonlekaj, natën e mirë nga India”.
{gallery}