Festivali i filmit “Seanema” do të mbahet në disa lokacione në qytetin e vjetër të Ulqinit, në datat 31 gusht deri më 3 shtator, shkruan KultPlus.
Tema e edicionit të tretë është “EXILE” (Dëbim), ndërsa në fokus janë të rinjtë që ndihen të përjashtuar për shkak të ndryshimeve kulturore si dhe nga pamundësia për t`i realizuar idetë, planet dhe ambiciet në vendin ku ata jetojnë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPërveç temës së re që prek këtë vit, “Seanema” ndryshon konceptin dhe bëhet festival me karakter garues ku filmat garojnë në tre kategori: filmi më i mirë, filmi më i mirë metrazh i shkurtër dhe çmimi i publikut ulqinak.
Rreth ndarjes së çmimeve vendos juria vlerësuese, e cila përbëhet nga regjisori malazez, Pavlle Simonoviq, regjisori Fatos Berisha dhe dramaturgia e gazetarja Dafina Halili.
Në jurinë që do të vlerësojë filmat metrazh i shkurtër do të jetë aktori, fitues i çmimit të madh të Teatrit Kombëtar të Malit të Zi, Mirko Vllahoviq, regjisori i ri malazez, Senad Shahmanoviq dhe Tomas Auksas, regjisor, producent, aktivist dhe drejtor artistik i kompanisë multimediale Liberatum nga Londra.
Në programin e edicionit të tretë bëjnë pjesë filmat “Kushtetuta e Republikës së Kroacisë” e regjisorit Rajko Grliq, që do të shfaqet në natën e parë të festivalit, dy produksionet malazeze “Iskra” nga Gojko Berkuljan dhe “Perla e Bunës”. Krahas programit të filmit, festivali “Seanema” këtë vit organizon panele, leksione për studentët, prezantime për dhe rreth filmit, për të rinjtë dhe rëndësinë e mbrojtjes së ambientit.
Festivali hapet pranë Muzeut arkeologjik në Kala, të enjten datë 31 gusht në ora 8 në mbrëmje. “Seanema“ këtë vit mbështetet nga Ministria e Kulturës ne Mal të Zi, Komisioni për ndarjen e fitimeve nga lojërat e fatit, Qendra kinematografike e Malit të Zi, Komuna Ulqin dhe shumë partnerë e donatorë të tjerë. Hyrja në të gjithë ambientet e festivalit do të jetë falas.