Duke anashkaluar çështjen e restaurimeve në Manastirin e Banjskës, Dioqeza Rashkë-Prizren i ka reaguar ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, teksa është ndalur te dëmet e ngjarjeve të 24 shtatorit, të cilat ka thënë se do t’i riparojë vetë. Në reagim nuk përmendet fare restaurimi që ka nisur në fillimshtator me një fond të tifogrupit të “Crvena Zvezdas”
Dioqeza Rashkë-Prizren ka thënë se çështjet si riparimi i dëmeve në Manastirin e Banjskës duhet të trajtohen në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. Në një reagim të premten, kjo dioqezë ka thënë se i ka siguruar mjetet e nevojshme për t’i riparuar dëmet e shkaktuara nga grupi terrorist më 24 shtator dhe se riparimin do ta bëjë vetë, duke refuzuar edhe një herë institucionet e Kosovës.
Në fillim të shtatorit për herë të tretë pati ndërhyrje restauruese në këtë manastir, pa lejen e shtetit. KOHA ka raportuar se intervenimet u bënë nëpërmjet një donacioni të tifozëve të klubit futbollistit beogradas, “Crvena Zvezda”. Pas raportimit të KOHËS, institucionet e trashëgimisë kulturore janë vënë në kërkim të dëshmive për ndërhyrjet restauruese të bëra pa leje të shtetit në manastir. “Sa u përket ndërhyrjeve në Manastirin e Banjskës në Zveçan, ne jemi aktualisht duke i mbledhur informacionet dhe do të dalim me qëndrim zyrtar të Ministrisë së Kulturës sapo të kemi diçka konkrete”, shkruhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës, një ditë pas raportimit të KOHËS për këtë rast. Ky institucion nuk ka dhënë detaje sa u përket angazhimeve për të verifikuar këtë rast. Dëshmi më vete janë pamjet e Manastirit pas agresionit të Serbisë në Kosovë nëpërmjet një grupi terrorist më 24 shtator. Në pamje vërehen skele në disa pjesë të kompleksit.
Megjithatë, për raportimin për ndërhyrje restauruese pa leje të shtetit, Dioqeza nuk ka reaguar fare. Kjo dioqezë është marrë me kërkesën e autoriteteve të Kosovës për restaurimin e dëmeve të monumentit.
Në reagimin e së premtes, Dioqeza ka akuzuar Ministrinë “për mashtrim të publikut” duke thënë se “s’ka gatishmëri të sinqertë për bashkëpunim dhe komunikim normal”.
“Më 6 tetor Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës në Kosovë, i dërgoi letër peshkopit Teodosije të Rashkë-Prizrenit, duke i ofruar vlerësimin dhe restaurimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës, pas ngjarjeve fatkëqija të 24 shtatorit. Ministri Çeku e publikoi letrën e tij në rrjetin social ‘X’ të njëjtën ditë, ndonëse letra zyrtare arriti në Dioqezë vetëm më 11 tetor. Përpara se t’i jepej përgjigje letrës së ministrit, në portalin KOHA më 12 tetor dolën akuza të reja nga Ministria e Kulturës. Ministria pretendoi se dioqeza gjoja po rinovonte Manastirin e Banjskës pa autorizim nga autoritetet e Prishtinës”, thuhet në reagim.
Dioqeza ka thënë se në Manastirin e Banjskës “nuk ka pasur dëme në kishë ose sektorin historik”, por në “portën metalike dhe konakun jashtë kompleksit kryesor”. Duke thënë se janë dëme që kërkojnë riparime “bravandreqëse dhe zdrukthëtarie”, Dioqeza ka njoftuar se tashmë ka siguruar fondet për riparimet e nevojshme, falë “donacionit nga Fondacioni i Manastirit HIlandar dhe se së shpejti do të riparohen dëmet”.
Dioqeza ka thënë se mbrojtja e objekteve të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë është e definuar me Planin e Ahtisaarit. Ka akuzuar autoritetet për moskryerje “të obligimeve” në këtë aspekt.
“Prandaj ne besojmë se është thelbësore që çështjet, siç është dëmi në Manastirin e Banjskës, të zgjidhen në kuadër të dialogut në vazhdim të Brukselit, i cili ndër tjerash parashikon formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, në vend të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga pozitat e pushtetit dhe kërcënimet, ndërkohë që Qeveria në të njëjtën kohë shpërfill Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për tokën e Manastirit të Deçanit”, thuhet në reagim.
Akuzat ndaj saj Kisha i ka cilësuar si provokime.
Tri ditë pas sulmit terrorist, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte deklaruar në mbledhjen e Qeverisë gatishmërinë për të restauruar dëmet që i janë bërë këtij monumenti nga grupi terrorist prej rreth 30 vetash. Dioqeza Rashkë-Prizren kishte kundërshtuar këtë iniciativë. Në reagimin në ueb-faqe, Dioqeza kishte shkruar se Çeku “ka refuzuar ta identifikojë manastirin si pjesë të Kishës Ortodokse Serbe”. Ishte ankuar “për mohim të vazhdueshëm të identitetit shpirtëror e fetar në Kosovë ndër vite”. Duke e konsideruar situatën të papranueshme, Dioqeza kishte shkruar se “nuk mund ta pranojë ndërhyrjen e institucioneve të Kosovës në jetën në kishë dhe marrjen nën mbrojtje të Manastirit të Banjskës”.