Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Artistja që bashkon artin dhe sportin me murale e punëdore

Boston, 14 korrik - “Basketbolli është sporti më kreativ ekspresiv. Dhe një pjesë e madhe e tij i atribuohet kulturës së afroamerikanëve dhe kësaj gjëje të lirë, ushtrimit në rrugë në vend të ndonjë instituti”, thotë Maria Molteni. “Gjithashtu e mendoj si një prej sporteve më të shkathëta në shumë mënyra. Krejt çka të duhet është një top dhe diçka për ta hedhur topin në të. Një prej arsyeve përse ka qenë një sport kaq urban është për shkak se nuk ke nevojë për një fushë të madhe e të gjerë. Është shumë vertikale, njashtu siç janë qytetet”, thekson shkrimi i wbur, që sot e transmeton “Koha Ditore”.

Artistja 33-vjeçare nga Bostoni dhe miqtë e saj së fundmi kanë përfunduar së pikturuari një mural në sipërfaqen prej betoni në fushën e basketbollit jashtë Qendrës së Komunitetit në Parkun Harambee në Boston. Dizajni është i tëri me vija, yje, pika shiu, kandil deti, ylbere dhe topa. Fjalët janë të thurura nëpër struktura: besim, miqësi, talent, krenari, “nghe thuat” (vietnamisht “art”), liri (në gjuhën shqipe), poder (“fuqi” në gjuhën spanjolle). Një katror dekoron një qosh. Murali i titulluar “Hard in the Paint” – për “gjuajte e fuqishme në kosh” – ka ardhur si rezultat i një rezidence tetëmujore të tetë artistëve në qytet. Me fillim të tetorit të vitit të kaluar, në vitin e dytë të programit “Boston AIR”, secili prej artistëve ka bashkëpunuar me një prej Qendrave për Rini dhe Familje të Bostonit. Molteni ishte lidhur me atë të Perkinsit, sepse të dyve u pëlqen shumë basketbolli.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Puna e Moletnit qëndron në kryqëzimin e artit e artizanatit me atletikën. Ndonjëherë ajo e quan “craftletics”. Gjithçka nis prej fëmijërisë së saj në Nasheville, Tennessee.

“Jam marr me shumë sporte. Basketboll kam luajtur për 10 vjet”, thotë Molteni. “Isha çupa e babait. Është punë e madhe kjo në jug. Megjithatë e kam lënë kur shkova në kolegj. Gjithmonë kam qenë e interesuar në art, por nuk kisha gjetur diçka që më flinte. Nuk kishim muze në Nashville”, thotë ajo.

Molteni përfundoi studimet për pikturë në Universitetin e Bostonit, i cili njihet për qasjen rigoroze të programit të vjetër shkollor. Pas diplomimit në vitin 2006, ajo mendoi se me çfarë dege të artit të merrej. Vazhdoi me pikturimin e njerëzve dhe më pas pikturimin e shtëpive në lagjen e saj.

“Isha në kërkim të një subjekti që kishte rëndësi për mua”, thotë Molteni. “Kështu që iu ktheva sportit”, shton ajo. Më pas nisi të mësonte thurjen me grep – dhe kështu gjeti rrjetë të basketbollit në mbeturina.

“Isha disi e frikësuar kur po bëja një veshje, sepse nuk di se si të ndjek mostrën. Kështu që thura një rrjetë të basketbollit”, thotë Molteni. “Thjesht nisa të vizatoja me gjilpërë dhe të provoja modele, derisa krijova formën që dëshiroja. Koshi në të cilin luaja në rrugë nuk kishte rrjetë. Thash ta vendos rrjetën time në të”, shton ajo. Ishte mënyra e saj se si i përdori fijet – produkt i një grafiti që përfshinte krijimin e strukturave me thurje. “Rrjeta tashmë është një shembull i një fibri të artit publik që ekziston në botë”, thotë Molteni. “Mund ta futni veten në të. Ajo e dëmton mjaftueshëm, por nuk i shkakton askujt problem”. Ishte mënyra e saj e përdorimit të asaj që shpesh është parë si artizanat femëror për të sfiduar mënyrën se si sportet amerikane kanë karakter gjinor – shpesh duke zhvlerësuar ose përjashtuar gratë dhe vajzat. Thurja e rrjetës së basketbollit e ka dërguar atë më pas në lansimin e projektit “Net Works” në vitin 2010, një grup i lirë i thurësve të rrjetave që përfshinte edhe artistët e Bostonit si Samantha Fields, Taylor McVary, Andrea Evans dhe Cara Kuball. Grupi u shndërrua në “New Craft Artists in Action” .

“Ishte mënyrë se si ne mund të përdorim teknikat tradicionale artizanale për t’iu përgjigjur nevojave në kohë reale”, shton ajo. Rrjetat e tyre – shpesh me ngjyra të hapura, të trasha me tel të përpunuar – kanë hijeshuar rrjetat metalike në Filipine, Hungari, Australi, Afrikë Jugore, Gjermani dhe në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kur e kemi vendosur rrjetën, vajzat e vogla ishin të emocionuara dhe vrapuan menjëherë drejt tyre”, thotë Molteni. “E sheh se vajzat ndiejnë sikur përkasin aty kur shohin diçka shumëngjyrëshe”, shton ajo. Si artiste në rezidencë, Molteni ka ofruar punëtori të artit në Qendrën e Komunitetit Perkins – përfshirë edhe lojërat e basketbollit gjatë vikendeve për fëmijët e moshave 7 e 8-vjeçare. Ajo ka ftuar fëmijët që të vizatojnë fushat e basketbollit, të bëjnë rrjeta, dhe të krijojnë karta sportive, duke përfshirë aty edhe ëndrrat e tyre.

Molteni promovon projekte të llojit “bëje vetë” si alternativë kundër shtypjes sociale.

“Të bësh gjëra vetë të jep fuqi, sepse mund t’i krijosh pa qenë i varur nga sistemi”, thotë ajo. Njëjtë, ajo thotë, se edhe basketbolli nuk ka pse të jetë vetëm sport të cilin mund ta shikosh, por diçka të cilën mund ta luajë secili.

“Rishkruaj rregullat e lojës. Basketboll. Zotëroje. Merre përsëri”, thotë Molteni. “Shoh racizëm dhe skllavëri në atletikë. Të gjitha institucionet mbështeten te afroamerikanët për të bërë para, të cilat shkojnë në duart e të pasurve. Bëhu kritik i kësaj strukture. Nuk do të kishte aq shumë kërkesa komerciale nëse grave u jepet një shans. Gratë duhet të paguhen njëjtë”, shton ajo. “Ka njerëz homoseksualë në këto komunitete që, po ashtu, kanë nevojë të mbështeten”.

Sa i përket muralit, Molteni ka punësuar një ekip prej vajzave adoleshente për të përgatitur fushën dhe për të bërë punët fillestare në mes të muajit qershor. Më pas ajo ka sjellë artistë të rritur për të kryer pjesën e ngjyrosjes. Iu bashkuan edhe anëtarë të komunitetit.

“Njerëzit disi pikturuan bashkë me ne gati tërë kohën”, thotë ajo. Dizajni i muralit nxjerr imazhe prej vizatimeve të fëmijëve dhe tekste që i kanë bërë gjatë rezidencës.

“Qëllimisht nuk kam dashur ta dizajnoj shumë në fillim. Kam dashur që të jetë e organizuar dhe t’u përgjigjet gjërave në kohë reale”, thotë Molteni. Ky është murali i saj i dytë në një fushë basketbolli, pas atij në pranverën e vitit të kaluar në “Clubhouese”. Ajo pret që edhe të tjera të realizohen.

“Arti nuk është vetëm për disa njerëz”, thotë Molteni. “Njëjtë sikur basketbolli nuk është vetëm për disa njerëz”.