Komiteti teknik amerikan ISO 639-2, me seli në Bibliotekën e Kongresit në Washington, nuk ka pranuar ta kodifikojë gjuhën malazeze.
Siç thuhet në shkrimin që sot e transmeton “Koha Ditore”, një gjë e tillë është bërë me arsyetimin se bëhet fjalë vetëm për një variant të gjuhës serbe. Siç raportojnë mediat e Podgoricës, biblioteka kombëtare “Gjurgje Cernojeviq” në Cetinë, tash e nëntë vjet insiston në kodifikimin ndërkombëtar të gjuhës malazeze, por Komiteti amerikan refuzon ta bëjë një gjë të tillë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSiç theksohet, nuk ekziston asgjë që mund të bëjë Qeveria e Malit të Zi për ta bindur Komitetin se gjuha malazeze nuk është “variant i gjuhës serbe që flitet në Mal të Zi, por që ka dallimin e saj linguistik dhe një zhvillim të veçantë historik”.
Komplet dokumentacioni, referencat, propozimet e mbështetjet nga rajoni kaherë janë dërguar në ShBA. Megjithatë, prej Washingtonit vjen një mesazh i njëjtë ku shkruhet se askush nga Mali i Zi nuk i ka bindur se gjuha malazeze nuk është variant i serbishtes.
Në krejt këtë histori, siç theksohet, është përfshirë edhe Ambasada e Malit të Zi në Washington, e cila lobon për kodifikimin e gjuhës malazeze, por pa sukses.
Në e-malin që e ka nënshkruar Rebeka S. Günter është njoftuar se Komiteti ka diskutuar disa herë në lidhje me gjuhën malazeze dhe qëndrimi ka qenë se bëhet fjalë për një “variant të gjuhës serbe që flitet në Mal të Zi”.
Po ashtu kanë propozuar vendosjen e kodit të variantit srp-ME, (serbisht-Montenegro) vetëm nëse u dërgohen informacione shtesë për të kuptuar dallime me peshë midis dy gjuhëve.
“Kode të posaçme ndahen në bazë të dallimeve linguistike e jo në bazë të atyre politike e gjeografike”, ka porositur Günter, raportojnë mediat e Podgoricës.
Mali i Zi me Kushtetutën e vitit 2007 e shpalli gjuhën malazeze gjuhë zyrtare, ani pse nuk njihet ndërkombëtarisht. Më 2009 u prezantua Drejtshkrimi i gjuhës malazeze duke ia shtuar alfabetit ś dhe ź. Në regjistrimin e fundit të popullsisë më 2011 në Mal të Zi, 37 për qind janë deklaruar se gjuhën malazeze e kanë gjuhë amtare e 42 për qind atë serbe.