Në kuadër te Ditëve të Diasporës, ka filluar dje edicioni V i manifestimit letrar ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2017”.
Në kuadër të këtij manifestimi çdo vit, për shkrimtaret më të mirë të trekufirit Kosovë-Mal i Zi-Shqipëri ndahet Çmimi për Vepër Jetësore “Teuta”, i cili pas Jevrem Berkoqivit, Ramiz Kelmednit, Dritero Agollit dhe Mirash Martinoviqit, sivjet i ndahet shkrimtarit dhe studiuesit të mirënjohur Moikom Zeqo.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Te rikthehet kultura e leximit të librit, kritika dhe kriteret për botime si dhe tradita e manifestimeve të mirëfillta letrare. Ndërsa shoqëria mbarë që nga familja e deri në institucionet shtetërorë të marrin përsipër përgjegjësinë e tyre për krijimin e shijes për vlerën si dhe zhvillimin dhe promovimin e tyre, duke penguar kështu bashkërisht zbehjen e kulturës së leximit dhe invazionin e botimeve pa kriter”, ky, siç transmeton KultPlus, ishte mesazhi që u përcoll nga manifestimi V letrar ndërkufitar „Muzat e Alpeve 2017“, i cili ka filluar dje në Istog.

Jeta Beqiraj, përfaqësuese e kësaj shoqate për Kosovë, foli për rrugëtimin 5 vjeçar të “Teutës”.
“Ky rrugëtim ndonëse i mundimshëm, për shkak të mbështetjes ndonëse të gjerë por modeste të institucioneve tona, na bën krenar me vlerat që përfaqëson, me shtrirjen e aktivitetit të tij në dhjetëra komuna të trekufirit Kosovë- Shqipëri - Mal i Zi si dhe më radhitjen e shkrimtarëve më eminent të trekufiritsi laureatë të Çmimit për Vepër Jetësore ‘Teuta’ të cilin e ndan kjo shoqatë për çdo vit”, tha ndër të tjera Beqiraj, duke falënderuar institucionet MKRS, Med dhe komunën e Istogut.
Por, “Teuta” sivjet është dukshëm më e varfër ngaqë brenda vitit humbi dy laureatët e saj, bashkëmoshataret dhe bashkudhëtarët në letra Dritëro Agollin dhe Ramiz Kelmendin, tha shkrimtari i mirënjohur nga Kosova, Ibrahim Kadriu, i cili solli kujtime nga ndarja e Çmimit Teuta për këta përfaqësues të denjë të letërsisë shqipe, këndej dhe matanë Drinit, të cilët u dekoruan në Bajram Curr dhe në Risan, pranë gërmadhave të selisë ushtarake të mbretëreshës ilire , Teuta.
Albert Kurtulaj, zyrtar për Integrime evropiane dhe politika të jashtme në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Kosovës, tha ndër të tjera se: “Duke pasur në strategjinë e saj integrimet evropiane në fushën e kulturës, nuk është e rastësishme pse ka mbështetur vazhdimisht manifestimin letrar ndërkufitar “Muzat e Alpeve” që në fillet e tij dhe në zhvillimin e tij duke u shndërruar kështu në një manifestim tradicional, sepse ky manifestim përbëhet nga njerëz me vlerë dhe prezanton vlera ngado që ndalon me aktivitetet e tij”.
Aktivitetin e përshëndeti edhe shkrimtari 93 vjeçar nga diaspora, Shaban Bali Nokshiqi, me banim të përkohshëm në Dallas, duke sjell emocion tek të pranishmit me vargjet e tija të cilat në këto pesë vite janë botuar në pesë libra.
Dr. Ibrahim Rugova më parë se të ishte burrështetas dhe prijësi ndër më me ndikim në historinë shqiptare në përgjithësi, ai ishte krijues dhe studiues i cili me krijimtarinë e tij la gjurmë të ndritura pas vetes. Me këtë rast, prof. Anton Nike Berisha kumoti mbi temën: “Krijimtaria studimore e dr.Ibrahim Rugovës”.
“Në fushën e studimit dhe të letërsisë Ibrahim Rugova la një trashëgimi sa te pasur aq edhe të veçante. Kjo dëshmohet me një varg veprash vlerash të mëdha. Në studimet e veta vërehet një thellësi dhe gjerësi e mendimit, si rrjedhoje e njohjeve të mëdha të çështjeve teorike i cili ishte në gjendje t’i interpretonte edhe në rrafshin praktik”, tha prof.Berisha.
Me këtë rast u promovua edhe libri I shkrimtarit të mirënjohur boshnjak Zuvdija Hogjiq-Berisha, “Svi moji-Të gjithë të mitë”. Smajl Smaka doli për biografinë e pasur të këtij autori me origjinë nga familja shqiptare Berisha e Kodralisë së Deçanit, si dhe për vizitën e sotme në trojet e vjetra, me c’rast ishin pritur edh nga kryetari I komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj. Sepse, të njohësh të kaluarën është obligim, tha me këtë rast përkthyesi në shqip dhe redaktori i këtij libri Dimitrov Popoviq, i cili vlerësoi se: “Zuvdija Hoxhiq Berisha, është ndër shkrimtarët më të mëdhenj e më në zë në Malin e Zi por edhe një njeri i mrekullueshëm i cili në këtë roman biografik ka trajtuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme të besimeve dhe etnive të ndryshme dhe si të tillë, nga ky shkrimtar i madh ata ngrihen edhe me lart dhe qëndrojnë në kohë, si bjeshkët që i mbajnë”, tha Dimitrov, për të shtuar se Zuvdiu është bektashi dhe bektashizmi ka një traditë shekullore dhe shembullore në Shqipëri, prej nga dolën edhe vëllezërit e shquar Avdyl, Sami dhe Naim Frashëri.

Përderisa, autori i romanit Zuvdija Hoxhiq, tha në këtë rast se ardhja e tij këtu është një ngjarje e veçantë. “Njeriu kur largohet nga vendlindja gjithnjë e më shpesh kujton të mirat e vendlindjes. Unë me djalin e axhës kam vizituar vendin e paraardhësve të mi në Kodrali, ku sot nuk ka më Berishë, Berishë nuk ka as në vendin tim, por ka gjithkund nëpër botë e më së tepërmi në librin tim. Halla ime ishte sëmurë keq dhe mundësia e saj për të folur në gjuhën e saj pas 50 vitesh, ka ndikuar më mirë se çdo ilaç tjetër. Ndaj, kur njeriu i kthehet gjuhës e rrënjëve të tij, i ngjason djaloshit të guximshëm Ante, i cili ka fituar forcën më të madhe kur ka prekur këmbëzbathur tokën e tij mëmë“, tha Hoxhiq, për të shtuar se ka punuar gjatë gjithë jetës të lërë diçka që ka të bëjë me paraardhësit e tij dhe tu lërë pasardhësve diçka që do t’i lidh me ta.
Ndërsa, Qefsere Ibrahimaj, përfaqësuese për kulturë në komunën e Istogut tha se Istogu gjithmonë ka dyert e hapura për bashkëpunim aty ku ekzistojnë dhe promovohen vlerat e mirëfillta kulturore. Këtë ë ka bërë me Shoqatën Rajonale të Shkrimtarëve edhe më parë dhe këtë po e bën edhe me zbulimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj.
Në Istog ka filluar manifestimi letrar trekufitar "Muzat e Alpeve 2017”, i cili organizohet në kuadër të Ditëve të Diasporës me mbështetjen e Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës, pasuar edhe nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, si dhe komuna e Istogut, ku edhe filluan aktivitetet.
Ky manifestim lëvizës deri më tani ka përshkuar: Pejën, Kotorrin, Rugovën, Rozhajën, Deçanin, Plavë-Gucinë, Junikun e Bajram Currin. Ndërsa, pas Istogut, do të vazhdoj në Shkodër me kumtesa mbi temat “Letërsia shqipe dhe roli I saj historik” si dhe “Feminizmi, bota dhe kundërbota e tij", promovimin e librit të Radovan Zogoviqit, “Ardhësit-Këngët e Ali Binakut”, botim dje përkthim I ri I Anton Nikë Berishës, do të vazhdojë me njohjen me trashëgimisë kulturore të Shkodrës si dhe do të përmbyllet me një mbrëmje letrare. Dita e tretë vazhdon pasnesër ne Tuz, me kumtesë “Poezia kundër luftës”, me promovimin e librit "Këngët e përgjërimit-Zavjet në pjesme", me autor Lulzim Tafaj , ndërsa në ceremoninë përmbyllëse Çmimi për Vepër Jetësore “Teuta” do t’i ndahet njërit prej personaliteteve më të shquara të kulturës shqiptare, prof.dr.Moikom Zeqos i cili me veprën e tij ka krijuar një kozmologji të re poetike, duke thyer kufijtë e perceptimeve dhe përjetimeve të njeriut të sotëm nëpërmjet një zbulimi të papritur shumëdimensional me historinë dhe përjetësinë.