Prishtinë, 1 mars - Si studim i thellë dhe me saktësi të madhe është cilësuar libri “Zajazi dhe e folmja e tij”, i autores Lumnije Jusufi.
Nëpërmjet kësaj vepre ajo nxjerr në pah ndikimin që ka pasur në gjuhë shkalla e zhvillimit ekonomik, pjesëmarrja në administratë, pozita e gruas e shkollimi i popullatës.
Jusufi, docente në Universitetin Humboldt të Berlinit, për një kohë të gjatë ka hulumtuar mbi të folmen e krahinës së Zajazit, zonë në veriperëndim të Kërçovës, shkruan sot “Koha Ditore”. Libri i promovuar të martën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, shtjellon rrënjësisht leksikun e kësaj krahine me rreth 15 mijë banorë.
Profesori universitar i gjuhës shqipe e anëtari korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Bardh Rugova, ka thënë se një pjesë shumë e madhe e shoqërisë shqiptare është e mbështetur në përkufizime e të dhëna me tahmin ose të përafërta. Jusufin e ka cilësuar si një studiuese të zonjën që ka bërë një punë shumë serioze. Sipas tij, ajo që e karakterizon këtë vepër, por edhe studimet tjera të Jusufit, janë konsekuenca teorike dhe saktësia e hulumtimit.
“Shumë prej nesh e shohin dialektologjinë si një punë që mund të bëhet si punë retroaktive. Por puna e saj dëshmon se është bërë një punë e palodhshme në terren. Kjo punë është kurorëzuar me një vepër të shkëlqyeshme”, ka thënë Rugova.
Gjuhëtari Rrahman Paçarizi ka thënë se literatura e shqyrtuar për këtë vepër nuk është selektive, por gjithëpërfshirëse dhe e lexuar në mënyrë kritike në raport me vrojtimet e drejtpërdrejta në terren dhe me faktorët sociolinguistikë. Sipas tij, autorja është marrë me çdo segment jetësor, i cili ka ndikuar në të folmen e Zajazit, si shkalla e zhvillimit ekonomik, pjesëmarrja në administratë, pozita e gruas e shkollimi i popullatës.
“Zajazi dhe e folmja e tij” është botuar nga shtëpia botuese “OM”.
Me titull në gjermanisht “Die zentralgegische Mundartengruppe in Mazedonien”, libri është botuar në Gjermani nga shtëpia botuese “Haraszowitz” në vitin 2011. Studimi edhe asokohe është vlerësuar si tejet i rëndësishëm... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.