Kulturë

NEWBORN-i mbulohet pjesërisht për dy javë

Këtë pamje do të ketë NEWBORN-i për së paku dy javë. Në vend të shkronjave të monumentit të pavarësisë, ka zënë vend billbordi me mesazhe për të drejtat e fëmijëve. Krejt kjo është bërë për ta shënuar Ditën Botërore të Fëmijëve - 20 Nëntorin, një nismë e organizatave “Save the Children” dhe “Syri i Vizionit” me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar. Ndërhyrja në NEWBORN është si pjesë e ekspozitës me mesazhe vetëdijesuese e lejen për këtë e ka dhënë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Tash pesë vjet, NEWBORN-i ka statusin e monumentit të mbrojtur.

Avni Manaj, kryesuesi i Komisionit të IKMM-së që shqyrton kërkesa të tilla, ka thënë se kanë dhënë leje pasi intervenimi nuk e dëmton obeliskun.

“Komisioni e shqyrtuar lëndën dhe e ka aprovuar mbajtjen e aktivitetit. Ndërhyrja nuk e prek drejtpërdrejt monumentin. Bëhet fjalë për një strukturë druri me një pëlhurë në të cilën do t’i përcjellin mesazhet e aktivitetit, por që është e konstruktuar që t’i mbulojë tri shkronjat e para të monumentit”, ka thënë Manaj.

Vlora Latifi, koordinatore në organizatën "Syri i Vizionit", që është një nga organizatat e përfshira në projekt, ka folur për detajet e fushatës.

“Në kuadër të këtij aktiviteti, ‘Save the Children’, ‘Syri i Vizionit’, si dhe fëmijët e grupeve avokuese ‘Respect Our Rights’ e ‘Hëna’ do të lansojnë fushatën: ‘UNË PA DHUNË’, e cila ka për synim ngritjen e vetëdijes për efektet dhe ndikimin e dhunës te fëmijët. Kjo vjen pas raportimeve të shumta shqetësuese të ngritjes së rasteve të dhunës në familje gjatë kohës së pandemisë COVID-19. Po ashtu gjatë së njëjtës ditë do të mbahet një takim online i fëmijëve me Komisionin Parlamentar për Arsim, ku do të paraqitet raporti për ndikimin e COVID-19 në arsimimin e fëmijëve”, ka thënë Latifi.

NEWBORN i inauguruar më 17 shkurt të 2008-s, për shënimin e 12-vjetorit të Pavarësisë, kishte marrë pamje të re. Prej shkurtit të këtij viti, në 12-vjetorin e Pavarësisë, NEWBORN-it i është dhënë tjetër pamje. Monumenti sivjet në formë thirrjeje vjen si homazh që u kushtohet viktimave të abuzimit seksual gjatë konflikteve anembanë botës