Pushtimi mesjetar i trojeve të shqiptarëve, me pak fuqi për t’u mbrojtur nga okupatori më i madh në numër dhe me armatim të pakufi, na e zbuloi një karakteristikë interesante: përqendrimin e ndërtimit kryesisht në zona urbane.
Ose, më mirë thënë, ruajtjen e trashëgimisë aty ku jeta zhvillohet me hov më të madh; aty ku përqendrohet pushteti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKështu, pas kalimit të gjysmës së Kosovës nga shekujt e mesëm, në vëllimin paraprak të kësaj serie monografish, vazhduam rrugën drejt zbulimit të një numri të pakufishëm monumentesh, që pas shumë shekujsh ende qëndrojnë “të gjalla”.
Kjo, pavarësisht të gjitha sfidave me të cilat i ka ballafaquar koha dhe pakujdesia e njeriut. Sikurse edhe në serinë e shkrimeve që ua kushtuam shekujve të moçëm, pjesën e dytë të kësaj historie të Kosovës, Artani e nisi në rajonin e Prizrenit, për të vazhduar nëpër atë të Ferizajt, e për të përfunduar në lindje, në atë të Gjilanit.
Mbase si në asnjërin vëllim deri tash, autori u ndesh me problemin e veçimit të monumenteve. Të atyre që vërtet do ta pasqyronin trashëgiminë jashtëzakonisht të pasur kulturore, në veçanti të qytetit të Prizrenit, pa hyrë në gjynah me ato të tjerat, që për mungesë hapësire nuk janë përfshirë në këtë botim.
Kësaj radhe u përzgjodhën 57 objekte, të përmbledhura në 35 tekste të shkruara tashmë në stilin e identifikueshëm të Artanit. Dhe sërish, sikurse në vëllimin e shkuar, ato kryesisht iu kushtuan xhamive, teqeve, tyrbeve, shtëpive monumentale, hamameve e sahatkullave, por jo pa e pasur atë shijen e veçantë që ua japin rrëfimet e njerëzve, që në një mënyrë a tjetër identifikohen me to. As në këtë vëllim nuk munguan edhe objektet katolike e ortodokse dhe rrëfimet interesante për rrënjët e tyre.
Në vijim të kritikës së shprehur nga vëllimi i mëparshëm, autori sërish ngre zërin e alarmit për gjendjen e monumenteve që “qajnë” për kujdes dhe riparim. Sërish, dhe me përshkrim të saktë, flet për neglizhencën e individëve dhe të shtetit ndaj objekteve që në vete, megjithatë, bartin historinë e një populli që ka vuajtur shumë nga pushtimet, e që prapëseprapë e ka ruajtur identitetin e vet kombëtar. Edhe një herë sinjalizon se, pavarësisht ndihmave që i ofrohen Kosovës për ruajtjen e monumenteve, nuk duhet lejuar që ato ta humbin autenticitetin për motive dogmatike a politike. Për shkak se monumentet e Kosovës janë të sajat dhe të kosovarëve, pavarësisht fesë, ideologjisë apo të përzgjedhjeve personale. (Parathënien e plotë të Flaka Surroit për vëllimin e katërt “Monument” të Artan Krasniqit, Botimet KOHA, Prishtinë, 2017, mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)