Kulturë

“Të drejtët” të mërkurën premierë në teatrin e Prizrenit

Me shfaqjen “Të drejtët” e autorit Albert Camus nis viti 2017 në teatrin e Prizrenit.

Me regji të Mahir Musliut, puna rreth realizimit të kësaj shfaqjeje ka nisur para me shumë se dy muajsh, derisa premiera e saj do të jepet të mërkurën mbrëma.

"Të drejtët" është tekst, i cili nuk është inskenuar më parë në teatrot e Kosovës dhe Shqipërisë, por në mendjen e regjisorit Musliu kishte qenë që disa vjet më parë.

Shfaqja flet për një grup terroristësh nga partia revolucionare, të cilët planifikojnë një atentat ndaj Dukës së madh, Sergejit. Në natën kur organizohet atentati, Duka është duke shkuar në teatër. Kalajevit i bie që ta hedh bombën mbi karrocën që është duke udhëtuar Duka.

Në kohën kur do të duhej të hidhej bomba, ai stepet dhe nuk e hedh nga mëshira sepse në karrocë, përveç Dukës së madh, është edhe Dukesha dhe dy fëmijët, nipi dhe mbesa. Duke ndjerë këtë mëshirë, ai nuk e kryen sulmin si arsyetim për fëmijët, ndërsa në organizatë fillojnë gjykimet dhe akuzat duke u ndarë në dysh ata që e përkrahin Kalajevin dhe tabori tjetër që e gjykojnë atë.

Ndonëse është shkruar disa vjet më parë, ky tekst sipas regjisorit, përkon shumë edhe me realitetin e ditëve të sotme.

Pjesë e shfaqjes janë aktorët: Rifat Smani, Fetah Paçarizi, Xhevdet Doda, Edona Sopaj, Alban Morina, Zanë Duraku, Alban Krasniqi, Alban Çelaj dhe Ernest Malazoku.

Marrë parasysh temën që trajton kjo shfaqje, për aktorët procesi i realizimit të saj ka qenë goxha i vështirë, por puna e vazhdueshme për më shumë se dy muaj, sipas tyre ka bërë që rezultatet të jenë të mira në fund.

Premiera e shfaqjes “Të drejtët” do të jepet të mërkurën nga ora 20:00 në Teatrin e Prizrenit.