Kulturë

“Tri gjenerata të animatorëve italianë” prezantohen në Prishtinë

Për herë të parë, punët e artistëve të famshëm animatorë nga Italia, Osvaldo Cavandoli, Bruno Bozzeto dhe Piero Tonin prezantohen në një ekspozitë të përbashkët, dhe atë në Prishtinë.

Andaj, drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës ku edhe u hap ekspozita, Arta Agani, në hapjen zyrtare tha se ky është një nder për galerinë. “Tash gjeneratat e reja kanë programe të cilat u dedikohen vetëm fëmijëve dhe kanë mundësi që të shohin më shumë filma të animuar kurse ne kemi pasur vetëm një orar të caktuar kur në televizor janë shfaqur filmat e animuar dhe “La Linea” i njohur si “Badum Badum””, deklaroi Agani para të pranishmëve.

Kuratorja e ekspozitës “Tri gjenerata të animatorëve italianë” tregoi se kur erdhi deri tek bashkëpunimi me Galerinë Kombëtare të Kosovës, veç ishin duke punuar për të organizuar një ekspozitës në emër të profesorit Cavandoli, i cili ka ndërruar jetë tash e dhjetë vjet.

“Në këtë ekspozitë do të shihet puna shumë e rëndësishme dhe me shumë sfida e autorëve shumë të njohur. Sa i përket Bozzetos, ai ka krijuar një film me metrazh të gjatë që titullohet ‘Jo shumë i lumtur’, e që kemi paraqitur këtu. Nga Piro Tonin i cili është i pranishëm sonte kemi tërhequr në përgjithësi punë e tij, sepse ai është më i ri dhe sigurisht se nuk ka një bagazh si dy artistët e tjerë, ndërsa për Cavandolin kemi vendosur të jetë ekspozita e gjitha një dedikim për të meqë tash e 10 vite ai mungon në mesin tonë”.

Tonin ka qenë përndryshe student i Osvaldo Cavandoli dhe shpalosi për “Express” një kujtim nga ajo periudhë.

“Më pëlqen më shumë ta pëlqej si person sesa si artist. Kjo sepse përpara e kam njohur vetëm si artist dhe në momentin kur kisha privilegjin të isha student i tij, ishte një arritje për mua që e kisha pritur gjatë gjithë jetës sime. Ai ka qenë person shumë i dashur, me shumë humor dhe në orët e tij mbante me vete një frigorifer të vogël me pije dhe na lejonte të pinim nga një birrë ose të tjera pije që kishte me vete”.

Tonin nuk e mohoj ndikimin që kanë pasur Cavandoli dhe Bozzeto në krijimtarinë e tij artistike.

“Jam munduar të kem një ndërlidhje me stilet e tyre. Më pëlqen shumë zgjedhja e tyre që nëpërmjet artit, pa folur të tregohen shumë gjëra. Cavandoli ka qenë specifik në punimet e tij”.

Në ekspozitën “Tri gjenerata të animatorëve italinë”, përveç animacioneve që janë realizuar në formë digjital, janë paraqitur edhe animacionet origjinalet të Cavandolit dhe Bozzetos gjë për të cilën galeria ka marrë të drejtën për t’i shfaqur për publikun në Kosovë, meqë nuk mund të gjenden në internet.