Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Irani si djep i qytetërimit nëpërmjet artefakteve të konfiskuara

Bonn, 21 prill - Jiroft, një rrafsh i pëlleshëm rreth 230 kilometra në jug të qytetit të Kemanit, tani i ngjason një cope të madhe të djathit zviceran apo një pirgu gjigant të dheut, pasi që hajnat plaçkitën varret antike atje.

Një fotografi, e cila është pjesë e ekspozitës “Iran. Anticent Culture Between Water and Desert” (Irani. Kultura e lashtë ndërmjet ujit e shkretëtirës), e hapur në “Bundeskunsthalle” të qytetit Bonn, tregon shkallën e shkatërrimit. Hajdutët kishin planifikuar ta shisnin prenë e tyre më të vlefshme nëpër ankande, nëpër qytete perëndimore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por, siç shkruan DW, që e transmeton “Koha Ditore”, në momentin e fundit policia ia kishte dalë t’i arrestonte dhe t’i mbronte reliktet kulturore. Tani ato për herë të parë mund të admirohen edhe jashtë Iranit. Pjesë e koleksionit të ekspozuar në Bonn janë edhe statujat prej theu të grave e burrave që luten, stoli të arit, kavanoza, vazo dhe enë të punuara në klorit, alabastër e lloje të tjerë gurësh.

Artefakte me dekorime të pasura japin shumë të dhëna për jetën e përditshme të banorëve në juglindje të Iranit, gjatë periudhës së bronzit, sikurse edhe për besimet dhe mitet e tyre. Skena të luftëtarëve dhe heronjve mitologjikë tek sfidonin kafshët grabitqare janë motive të përsëritura nëpër enë. Në njërën prej tyre shihet një burrë me muskuj tek mban dy leopardë në ajër, të cilët i ka kapur për bishti. Në tjetrën shihet një lumë tek rrjedh e në një tjetër shihet një gjarpër përreth një ene.

“Këto janë qenie hyjnore që bëjnë gjëra të mbinatyrshme. E gjitha ka të bëjë me forcat e ashpra e nënshtruese të natyrës”, ka shpjeguar kuratorja Barbara Helwing, e cila ka punuar për Institutin Arkeologjik Gjerman në Iran deri në vitin 2007. Ajo shton se “ditëve të sotme iranianët i promovojnë studiot e tyre të fitnesit me këtë burrë muskulor”.

Në vitin 2003 Irani kishte bërë përpjekje që t’i tërhiqte objektet e plaçkitura nga Jirofti, kujton Helwing.

“Ajo që po e ekspozojmë ne vjen nga koleksioni i parë i konfiskuar i objekteve që janë gjetur në Jiroft. Ato janë tërhequr nga ‘Sotheby’ dhe shtëpi të tjera ankandesh”, ka shpjeguar ajo. Shumë stacione multimediale u sigurojnë vizitorëve të gjitha këto lloje informacionesh për Iranin. Disa pllaka tektonike kufizojnë njëra-tjetrën në thellësi të shtetit. Përplasja e pllakave ka rezultuar në formimin e maleve gjigante. Rreth vitit 7000 para Krishtit, oazat e pasura kishin lulëzuar nëpër fushat pjellore, në kufi të shkretëtirave dhe brigjet e Detit Kaspik – që ishin lokacione të përkryera për njerëzit. Vendbanimet janë shtrirë edhe luginave në malet që ofrojnë mbrojtje kundër sulmeve. Rreth vitit 3800 para Krishtit, shtet-qyteti i parë me administratë të centralizuar u themelua në Iran. Filmat e animuar që janë pjesë e ekspozitës tregojnë se njerëzit ishin goxha të aftë për të planifikuar qytetin kompleks. Vula cilindrike ishin shtypur mbi drafte arkitektonike dhe dëshmojnë që edhe ndërtesat multihistorike ishin ndërtuar aty. Pas një zjarri shkatërrues në qytetin e Choga Mish, qyteti tashmë me popullsi të dendur, Susas, u bë qendër e rëndësishme tregtare. Gomarët, devetë dhe anijet kishin shërbyer si mjete transporti për të bërë shitjet e bakrit dhe të argjendit.

Katërqind eksponatet që përfshin ekspozita i mundësojnë vizitorit të udhëtojë nëpër kohë deri në fillet e para të civilizimit dhe kulturës që ishte e orientuar nga natyra.

“Këto kultura kishin marrë inspirimet vizuale nga gjërat që i rrethonin. Asokohe dhitë e egra ekzistonin në malet Zagros, ku njerëzit ishin ndalur fillimisht. Ato mund të shihen nëpër dekorimet e kavanozave e enëve”, ka thënë Susanne Annen, bashkëkuratore e ekspozitës.

Rreth vitit 3000 para Krishtit Irani u shpërbë në çifligje të vogla. Liderët e tyre ushtarakë ishin varrosur së bashku me shpatat e tyre, siç edhe tregojnë gjetjet nga Deti Kaspik. Reliktet e inspiruara tek kafshët të gjetura në varre njëherë kishin shërbyer nëpër rituale që mbaheshin përreth varrezave. Njerëzit pinin nga gotat e arit të dekoruara me imazhe të ndryshme, si ato të shpendëve a dhive. Reliktet e gjetura në Jiroft nuk janë i vetmi thesar arkeologjik që ka dalë jashtë Iranit për herë të parë. Të ekspozuara janë edhe objekte luksoze, kryesisht stoli arti, të gjetura në varrin e dy princeshave Elamite. Varri i Elamites përmban dy skelete të femrave në dy sarkofagë të bronzta të shekullit VI para Krishtit dhe qenë zbuluar nga ndërtimtarët më 2007, në afërsi të fshatit Jubaji, jo larg Gjirit Persik. Ekspozita përfundon në një zonë të gjelbër. Një kopsht pers si në parajsë që shtrihet në rreth 400 metra katrorë është rindërtuar në oborrin e brendshëm të “Bundeskunsthalle”, bazuar në kopshtin ekzistues të një shtëpie gjigante në Iran. Lule ekzotike, fontana e ballkone dekorojnë kopshtin në të cilin vizitorët mund të relaksohen derisa absorbojnë civilizimin e lashtë të sjellë nga dashuria e madhe për dekorime fantastike.