Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Promovimi i Kosovës si shesh xhirimi, pa përkrahje nga shteti

Prishtinë, 11 prill - Organizata e cila është themeluar me qëllim që ta promovojë Kosovën si vend atraktiv për regjisorët e huaj nuk ka gjetur përkrahje institucionale për ta çuar përpara misionin e vet.

“Kosovo Film Commission” tash e një vit është në kërkim të përkrahjes nga komunat e Kosovës, por nuk ka arritur ta sigurojë atë. E themeluar në fund të janarit të vitit 2016, si e para e këtij lloji në vend, organizata e ka një uebfaqe funksionale në të cilën janë prezantuar qytetet e ndryshme të Kosovës si potenciale për të xhiruar aty, por, për shumicën prej tyre mungojnë të dhënat e detajuara.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Komisione të tilla filmi ekzistojnë në shumë vende të botës. Sipas të dhënave në internet, mbi 1 mijë të tilla janë aktive në mbi 100 shtete në gjithë botën, shumica prej të cilave ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropë dhe në Azi. Ato janë joprofitabile dhe shumica shërbejnë për të tërhequr dhe përkrahur produksionet filmike në vendin e tyre dhe përtej. Ndër më të njohurat në ShBA është “Association of Film Commissioners International” (AFCI) me bazë në Los Angeles.

Ag Apolloni, drejtor i KFC-së, ka thënë se zhvillimet e organizatës deri më tani kryesisht kanë qenë interne.

“Deri sot kemi kërkuar përkrahje nga komuna të ndryshme, si Prishtina, Peja, Ferizaj etj., por nuk na është ofruar përkrahje, sado që Komuna e Ferizajt është treguar e gatshme për bashkëpunim, madje e ka njoftuar organizatën tonë se ia ka ndarë mjetet, por pastaj, për arsye të panjohura prej nesh, nuk e ka përmbushur detyrën”, ka thënë Apolloni.

Në uebfaqe deri më tani janë përfshirë pesëmbëdhjetë komuna, si: Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Gjilani, Kaçaniku, Malisheva, Peja, Podujeva, Shtërpca, Shtimja, Skënderaj, Suhareka, Vitia, Vushtrria e Zubin-Potoku. Siç thotë Apolloni, kryeqyteti nuk ka shprehur interesim për bashkëpunim (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).