Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Drejt nga Luksemburgu” me një udhëtim të ndjeshëm pianistik

Klasikja dhe bashkëkohorja u gërshetuan në një program. Vepra që shekuj më parë vulosën historinë e muzikës bashkë me ato të kompozitorëve që ende vazhdojnë të hedhin nota në pentagram, kompletuan mbrëmjen që u quajt “Drejt nga Luksemburgu”, në kuadër të natës së katërt të edicionit të 12-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës, “DAM”.

Ish-objekti i klubit të boksit “Prishtina” u shndërrua në skenë. Tingujt e gjallëruan këtë hapësirë të lënë pas dore për vite që kohëve të fundit marrë një tjetër pamje me ngjarje kulturore që organizohen aty, shkruan sot “Koha Ditore”. Shfrytëzimi i hapësirave të tilla jo tradicionale është edhe qëllimi i sivjetmë i “DAM”-it. Pianistja Sabine Weyer ishte personazhi kryesor i mbrëmjes.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjithçka nisi me veprën “Ich ruf zu Dir” të Bachut, por me një qasje tjetër, pikërisht për shkak të asaj që pianisti e kompozitori italian Ferruccio Busoni kishte bërë me edicionin e publikimeve që e ka quajtur “Bach-Busoni”.

Ky publikim përmban transkriptime të muzikës për piano nga Johann Sebastian Bach. Ato po ashtu përfshijnë sugjerime për performanca, ushtrime, analiza muzikore, një ese mbi artin e transkriptimit të muzikës për piano nga Bachu, dhe materiale të tjera. Edicione të mëvonshme po ashtu përmbajnë kompozime origjinale dhe të përshtatura nga Busoini, të cilat janë të bazuara në muzikën e Bachut. Si kalim në kohë erdhi vepra e dytë në program. Duke qenë se Claude Debussy, bashkë me Maurice Ravel ishin përfaqësuesit kryesor të gjuhës inovative muzikore në fund të shekullit XIX që njihet edhe si impresionizmi francez. Njëra prej veprave më të njohura të tij në këtë frymë është “Images”.

Në fakt ai ka dy të tilla me nga tri kohë për solo piano. Këto janë të ndryshme nga “Images” e Debussy për orkestër. Veprat në serinë e parë ishin të shkruara në mes të viteve 1901 dhe 1905, ndërsa ato të serisë së dytë, më 1907, dy kohë të së cilës i luajti Weyer, “Bells through the leaves” dhe “Descent of the moon upon the temple that is no more”. E para është inspiruar nga kambanat e kishës në fshatin Rahon në Jura të Francës.

Rahon është vendlindja e Louis Laloy, mikut të ngushtë të Debussy, dhe njëherësh biografi i tij i parë. Ndërsa të dytën Debussy ia ka kushtuar pikërisht Laloyit. Në një përshkrim që i bëhet kësaj vepre thuhet se aty përdoret efekti i asaj që quhet “gamelan”, muzika tradicionale e ishujve Java dhe në Bali në Indonezi. Jo larg këtyre tingujve erdhi vepra e radhës. Në fakt ajo shkon fort mirë me atë të Debussy. Albena Petroviq ka kompozuar “Mirage N1 ‘et encore loin, plus loin, plus loin...’” duke u bazuar veprën e Debussy. Petroviq mëton të përdorë timbër duke e zgjeruar për t’i dhënë tingëllima të tjera. Zilja është një prej elementeve të cilën Weyer e përdor gjatë interpretimit në piano. Në këtë vepër ajo kërkon nga performuesi që të flasë gjatë interpretimit.

Kësisoj, një vepër impresioniste, e përpunuar duke u zgjeruar vjen më ndryshe në formën bashkëkohore. Si gërshetim mes impresionizmit dhe bashkëkohores erdhi edhe vepra e radhës. E kompozuar enkas për Weyer, “3 miniatures automnales” është vepër e kompozitorit francez Romain Zante, e cila u interpretua për herë të parë. Vjeshta është tema kryesore e kësaj vepre, përmes së cilës Zante sjell një rrëfim në tri kohë. E para ka të bëjë me ndryshimin e stinëve. Përmes notave ai është munduar që të paraqesë atë që ka ndier kur ka parë gjethet dhe ngjyrat e vjeshtës.

Më pas, me kohën e dytë, përmes tingujve mëton të paraqesë ndryshimin e kohës, kur pas shiut lind dielli. Melodia e kohës së dytë është më e lumtur. Ndërsa e treta është e kundërta. Është e trishtueshme, si përshëndetje për vjeshtën dhe kujtim për dikë që ka humbur.

Kalimi prej bashkëkohores në klasikë ishte kthesa e radhës në këtë udhëtim pianistik. Për këtë në repertor ka qenë vepra “Berceuse op.57” e Chopinit, një ninullë për piano. Ninulla i la vend veprës bashkëkohore, “Del Corrales Vers le vent d’oust” të Manuel Ruiz. Për këtë vepër ai ishte inspiruar nga erërat e lindjes që fryjnë në bregdet. Është një vepër që paraqet ndryshimet e drejtimit të erës, nga ato të lehta deri në stuhi. Paraqitet përmes tingujve sa të lehtë aq edhe të fuqishëm.

Këto gjashtë veprat e para zgjatën po aq sa ajo e radhës. “Sonate op.31 no.2” apo ndryshe “Tempest” e Beethovenit, që ishte sfida e mbrëmjes për Weyer. Por ajo ia doli mbanë që përmes notave të përcjellë mesazhin që fshihet në këtë vepër. Këtë sonatë Beethoveni e kishte shkruar në fillimet e periudhës së dytë të krijimtarisë muzikore, e cila më pas u parapriu kryeveprave të tjera.

“Tempest” përbëhet nga tri kohë dhe secila prej tyre vjen më ndryshe nga tjetra. Me këtë Beethoveni ka mëtuar të paraqesë dashurinë për muzikën e cila e ka mbajtur gjallë dhe e ka shpëtuar nga vetëvrasja pasi humbi dëgjimin. Vepra nis me shpresën për jetën, vazhdon me vuajtjen dhe përfundon me triumfin. E triumfuese ishte edhe performanca e Weyer. Për fund, ajo solli një vepër të re të kompozitorit e pianistit Pierre Weber, i cili ka shërbyer si ambasador i Luksemburgut në Kosovë, por që tani ka vendosur ta lërë detyrën si diplomat për t’iu kthyer muzikës. “Bagatelle” është kompozuar në Prishtinë, në dhjetor të vitit të kaluar, dhe vë në pah stilin sa romantik aq edhe sensitiv që Weber po e përpunon në krijimtarinë e tij.

Ai është ndarë i kënaqur me mënyrën se si Weyer e ka sjellë këtë vepër para publikut kosovar.

“Sabinen, për nga cilësia e sensibilitetit dhe tingullit të përpunuar, e bën të dallojë nga shumë pianistë të tjerë. Më vjen mirë, sepse kjo është karakteristikë e duhur për veprën time, të cilën e ka interpretuar sonte, sepse është pak romantike, pak nostalgjike dhe pak sensitive. Kështu është një përputhje e mirë”, ka thënë Weber, teksa ka treguar se si ka rënë në kontakt me pianisten. “Këtë vepër ia dërgova Sabines duke menduar se nuk do ta pranonte, por çuditërisht e pranoi dhe jam shumë i kënaqur që e ka luajtur sonte. Veprën e kam shkruar në dhjetor të vitit të kaluar në Prishtinë, për një pasdite”, ka shtuar ai.

I kënaqur me mënyrën se si Weyer e ka sjellë veprën e tij është ndarë edhe Zante. Ai ka thënë se ajo ka arritur që të përçojë emocionin që mëton të sjellë kjo vepër.

“Sabine është një pianiste shumë e mirë dhe jam i lumtur që premiera e veprës sime u dha në Prishtinë në këtë festival. Ajo arriti që ta ekzekutojë me mjeshtëri veprën”, ka thënë Zante.

Prezenca e dy kompozitorëve në këtë mbrëmje, për Weyer, ka qenë një përgjegjësi shtesë.

“Pjesëmarrja e dy kompozitorëve, veprat e të cilëve i luajta, e bën mbrëmjen edhe më emocionuese. Jam e lumtur që pata mundësi t’i luaj”, ka thënë Weyer.