Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Prokuroria ngre kallëzim penal ndaj shefit të kabinetit të kryetarit të Ferizajt për blerje vote

Prokuroria e Ferizajt ka përgatitur një kallëzim penal ndaj shefit të kabinetit të kryetarit të Ferizajt, Balton Dërguti, për ryshfetmarrje në këmbim të votave për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Dërguti në këto zgjedhje tashmë ka fituar një vend në KK të Ferizajt, ndërkohë atij i është publikuar nëpër rrjete sociale një audio-incizim (bisedë telefonike) në të cilin dëgjohet duke i ofruar një qytetari para për t’ia siguruar dhjetëra vota në një lagje të caktuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Policia e Kosovës ka intervistuar dy të dyshuarit dhe me procedurë të rregullt ata janë liruar.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shkuri Jashari, ka deklaruar se kallëzimi penal ndaj Dërgutit bazohet në nenin E-215 paragrafi 1, i cili nënvizon si dhënie apo marrje të ryshfetit.

“Në momentin që e kemi dëgjuar incizimin të dielën në mbrëmje, Prokuroria ka intervenuar menjëherë dhe e kemi autorizuar Policinë e Kosovës për ta identifikuar personin si i dyshuar, megjithëse personi është i njohur për ne. Ndërkohë personi është intervistuar nga policia dhe është liruar me procedurë të rregullt, andaj në këtë kallëzim penal bëhet fjalë për zgjedhjet e 22 tetorit për pozitën e këshilltarit komunal, derisa Dërguti dyshohet se ka tentuar të merrte ose të jepte ryshfet në këmbim të votave”, ka thënë Jashari.

Ndërkohë, Agim Gashi, zëdhënës i PK-së në Ferizaj, ka sqaruar se përveç Dërgutit është intervistuar edhe një person tjetër si i dyshuar në përfshirje të këtij përgjimi telefonik.

“Pas interesimit të prokurorisë rreth një incizimi të publikuar në rrjete sociale për dhënie apo marrje të ryshfetit, kemi identifikuar personat dhe janë intervistuar. Ndërkohë që janë liruar me procedurë të rregullt. Prokuroria e Shtetit ka autorizuar hetuesit rajonalë të hetimeve që të ndërmarrin veprimet e duhura sipas ligjit. Me këtë lëndë, e cila tashmë është proceduar në prokurori dhe në gjykatë, do të merren zyrtarët e këtyre institucioneve”, ka thënë Gashi.

Nga ana tjetër Balton Dërguti, shef i kabinetit të kryetarit të Ferizajt, ka sqaruar se sjelljet e tij në këtë incizim kanë qenë gjithçka konform ligjit, sepse sipas tij biseda me qytetarin (L.K ) ka të bëjë për mbulimin e shpenzimeve operative që nënkupton nëse dikush ka lobuar për një këshilltar komunal duhet t’ia kompensojë shpenzimet e telefonisë mobile, transportin dhe kafetë.

“Jam shumë i bindur se organet e drejtësisë do të vendosin që sjellja ime në këtë përgjim është gjithçka konform ligjeve në fuqi, sepse nëse një person vrapon për t’i siguruar vota dikujt, duhet t’ia heqim shpenzimet e telefonit, transportin dhe kafetë, ndaj kjo nuk mund të cilësohet si marrje apo dhënie e ryshfetit”, ka thënë Dërguti.