Prizren, 28 shkurt – Ish-drejtori i Arsimit i Komunës së Prizrenit, Nexhat Çoçaj, dhe drejtori i gjimnazit “Gjon Buzuku”, Shaip Buduri, janë liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitave apo autoritetit zyrtar.
Pas rigjykimit në Gjykatën Themelore të Prizrenit trupi gjykues, të hënën, ka shpallur aktgjykimin lirues ndaj dy të akuzuarve, shkruan sot “Koha Ditore”. “Trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, të hënën rishpalli aktgjykimin lirues ndaj të akuzuarve me inicialet N.Ç. dhe SH.B. nga Prizreni, për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë zëdhënësja e kësaj gjykate, Afërdita Kicaj.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProcesi gjyqësor ndaj këtyre dy zyrtarëve është zhvilluar në bazë të akuzave të Prokurorisë Themelore për punësimin e paligjshëm të mësimdhënësit me inicialet B.K. në Gjimnazin e Prizrenit. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Shaip Buduri, akuzohej se derisa kryente detyrën zyrtare si drejtor i gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare “me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe privilegjeve, lidhur me punësimin e profesorit B.K. (vëlla i bashkëshortes) së të pandehurit, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin e arsimit të Kosovës, i ka mundësuar që në gjimnazin “Gjon Buzuku” nga fillimi i vitit shkollor 2013/2014 deri më 04.02.2014 t’i mbante orët e gjuhës dhe letërsisë shqipe”.
E Nexhat Çoçaj akuzohej se derisa kryente detyrën zyrtare si drejtor i Drejtorisë së Arsimit të Prizrenit po ashtu kishte keqpërdorur detyrën zyrtare, pasi “me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për personin tjetër, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke e nënshkruar kontratën për punësim, nga 4.2.2014 në vendin e punës profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe personit B.K. nga Prizreni, pa shpallur konkurs për vendin e punës, duke shkelur seriozisht të drejtat e personit tjetër”. Në maj të vitit të kaluar Gjykata Themelore e Prizrenit pas gjykimit pati shpallur fajtor drejtorin e gjimnazit “Gjon Buzuku”, Shaip Buduri, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe e pati dënuar atë me një vit burgim efektiv, ndërkohë që pati liruar nga akuza drejtorin e Arsimit, Nexhat Çoçaj. Asokohe avokati mbrojtës i Shaip Budurit, Esat Gutaj, pati theksuar se vendimi i trupit gjykues ka qenë shokues dhe pati paralajmëruar dërgimin e ankesës në Gjykatën e Apelit. “Jam i bindur se Gjykata e Apelit këtë vendim do ta rrëzojë”, qe shprehur Gutaj. Pas ankesës Gjykata e Apelit pati anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore për këtë çështje, duke e kthyer lëndën në rivendosje në shkallë të parë, që është përmbyllur të hënën me aktgjykimin lirues.