Kronikë

48 orë ndalesë për serbin që demoloi xhaminë në Llabjan të Novobërdës

I është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, serbit i cili demoloi brenda dhe jashtë xhaminë në fshatin Llabjan të Novobërdës.

Lajmin e ka konfirmuar për portalin Koha.net, zëdhënësi në Policinë e Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Nuk dihet ende për motivet që e kanë shtyrë qytetarin e Kosovës me kombësi serbe, me inicialet B. F., i lindur më 1992.

Demolimi i xhamisë nga ana e këtij personi kishte ndodhur në orët e pasdites, menjëherë pas së cilës është njoftuar Policia e Kosovës.

“Njësitet patrolluese kanë dalë me urgjencë dhe nga hetimet e para është parë që në xhaminë e fshatit ka disa dëme në brendi të xhamisë, janë thyer disa orendi aty brenda, është thyer jashtë një matës i rrymës”, ka thënë Hashani, teksa ka treguar se shpejt është identifikuar i dyshuari, i cili më pas është ndaluar nga zyrtarët policorë.

“I njëjti besohet se është i involuar në raste të njëjta për dëmtim pronë, në një shkollë në Llabjan, së paku dy-tri shtëpi, të gjitha këto dyshohet se lidhen me këtë person”, ka shtuar ai.