Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Korenica kundër koalicionit me AAK-në në Rahovec

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar në komunën e Rahovecit, Visar Korenica është deklaruar kundër koalicionit me partinë fituese në këtë komunë, AAK-në.

Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se është i shqetësuar rreth disa informacioneve që Vetëvendosje në Rahovec me në krye Dervish Çadrakun, njëanshëm është pro koalicionit me AAK-në, transmeton Koha.net.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ashtu sikurse ju (qytetarë të Rahovecit), kam ndjerë shqetësim nga informacionet se disa anëtarë të kryesisë së qendrës së VV-së në Rahovec, me në krye Dervish Çadrakun, njëanshëm, janë shprehur pro një koalicioni me AAK-në, edhe pse në mbledhje nuk ishin të ftuar e prezent të gjithë anëtarët e kryesisë. E rikonfirmoj se jam fuqishëm kundër këtij koalicioni”, ka shkruar Korenica.

Ai më tutje ka shtuar se, “rezultati i zgjedhjeve të 22 tetorit ishte momenti ku qytetarët e komunës së Rahovecit u shprehën për ndryshim dhe këtë vullnet të qytetarëve nuk mund ta thyej. Ata më dhanë besimin mua, Lëvizjes dhe ndryshimit - i cili do të vijë së shpejti, e jo koalicioneve pa asnjë kuptim, parim, bazë apo ide”.

Korenica ka shtuar se tashmë janë bërë përgatitjet për një opozitë të fuqishme në Rahovec, përderisa ka theksuar se Smajl Latifi nuk ka potencial për ta udhëhequr komunën.

“Jemi përgatitur bashkë me shumë djem e vajza për opozitë të fuqishme, duke ditur se nga LDK dhe PDK s'mund të pritet një opozitë e tillë. Por, duke thyer të gjitha parimet dhe idealet e Lëvizjes, me fokus përfitimin nga pushteti, disa individë mendojnë se mund të lidhin koalicione të tilla. Organizata është mbi individët. Jam kundër këtij koalicioni sepse edhe më parë, edhe sot, Smajl Latifi ka dëshmuar se nuk ka potencial të udhëheqë komunën e Rahovecit, duke njohur vetëm arrogancën në veprime dhe kryeneçësinë në vendime, në favor të klanit e asnjëherë të qytetarit”, ka shkruar Korenica.

Ai ka theksuar se do t’i qëndrojë besnik vullnetit të qytetarëve dhe aktivistëve për ndryshimet në Rahovec.

“Dëshira e pa shuar për pushtet e disa individëve nuk më përfaqëson mua, e as aktivistët e palodhur dhe qytetarët. Do t'i qëndroj besnik vullnetit të qytetarit dhe aktivistit të palodhur, mbi idenë për mirëqenien e aktivistit e qytetarit - sepse mbi ta s'janë as grupet, as klanet e as interesat e ngushta. Lëvizja po rritet dhe qytetari do ngritët, bashkë për ndryshimet. Mund të lë aktivitetin politik, por jo vullnetin e qytetarit dhe aktivistit. S'ka koalicion, sepse ashtu do qytetari dhe aktivisti”, është shprehur ai.