Patrulla policore në Gjilan ka gjetur dy fëmijë në tavanin e një shtëpie në lagjen “Dheu i Bardhë” të cilët dridheshin nga i ftohti.
Fëmijët janë braktisur nga prindërit, të cilët dyshohen se kanë çrregullime mendore. Ndërsa gazeta “Koha Ditore” ka siguruar edhe një foto tjetër ku të njëjtit fëmijë ishin lënë në mes të rrugës nga nëna e tyre H. Kosumi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPolicia rastin e ka klasifikuar si keqtrajtim dhe braktisje të fëmijës dhe rastin e ka referuar në Prokurorinë Themelore të Gjilanit. Kurse fqinjët në lagjen “Dheu i Bardhë” akuzojnë Qendrën për Punë Sociale, që sipas tyre, kanë pasur të gjitha informacionet se fëmijët keqtrajtoheshin dhe ishin lënë pa përkujdesje nga ana e prindërve por që asnjëherë këtyre prindërve nuk u kishte marrë e drejta prindërore për përkujdesje. Thonë se kanë kërkuar largimin e familjes nga lagja meqë të njëjtit prindër të cilët dyshohen se kanë ngecje mendore kanë dashur t’i sulmojnë edhe banorët e tjerë.
Lirim Ahmeti, banor i kësaj lagje, ka thënë se 20 familje kanë bërë kërkesë te institucionet për largimin e kësaj familje nga kjo lagje mirëpo e cila nuk ishte marrë parasysh. Ai akuzon Qendrën për Punë Sociale në Gjilan që sipas tij e kanë neglizhuar rastin duke rrezikuar edhe jetën e fëmijëve ngase sipas tij fëmijët do të duhej të ishin në përkujdesjen e shtetit në ndonjë strehimore.
“Ne kemi bërë peticion 20 familje për me largu këtë familje sepse nuk janë normal. Kjo gruaja po I kërcënon edhe fëmijët , kam shkuar në polici dhe kam lajmëruar rastin dhe ata kanë proceduar rastin tek qendra sociale dhe ata nuk japin përgjigje. E kanë nxjerrë fëmijën e ngrirë para prej tavanit na kanë trishtu krejt sepse kjo është torturë është krim. I ka marrë policia i kanë dërguar tre fëmijët në polici sepse prind ku me dit ku i kanë pas. I kanë quar në polici prapë i kanë kthyer. Unë i thirra policinë edhe u thash mos i lëshoni sepse këta njerëz nuk janë normal. Dhe nuk ka asnjë përgjegjësie prapë i kanë kthyer. Rregullisht unë gjithmonë dërgoj ankesa mirëpo nuk ka përgjegjësi asgjë”, ka thënë ai.
Drejtuesit e Qendrës për Punë Sociale në Gjilan me vite të tëra kishin informacione se dy prindërit H. Kosumi dhe RR. Korça nuk janë në gjendje të përkujdesen për 3 fëmijët e tyre shkaku i ngecjeve mendore mirëpo ata nuk e kanë referuar rastin në Gjykatën Themelore të Gjilanit që të kërkohet nxjerrja e një vendimi që t’u merret e drejta prindërore dhe fëmijët të strehon diku tjetër.
Mursel Zymberi, drejtor i Qendrës për Punë Sociale arsyetohet se ata kishin bërë kërkesa edhe për raste tjera të ngjashme me rastin e familjes në lagjen “Dheu i Bardhë” por që nuk kishin marrë ndonjë përgjigje nga Gjykata. Ata thonë se tashmë kanë proceduar me rastin në fjalë dhe se do të mundohen që këtyre prindërve t’u marrin të drejtat prindërore .
“Ish në procedurë rasti për tu marrë e drejta prindërore edhe është në procedurë sepse kanë provuar rrethin familjare nëse dëshiron dikush me i marr me i mbajt fëmijët. Fillimisht rasti është proceduar nga qendra . Indetik kemi bërë kërkesë për një rast tjetër për marrjen e kujdestarisë së fëmijëve mirëpo ende nuk e nxjerr vendimin për me u marrë e drejta prindërore përkohësisht sepse kur u merret përherë fëmija duhet mu adaptu. E ka një vit që procedura është në gjykatë për një rast tjetër. Unë nuk jam psikolog mirëpo ata dy prindër kanë ngecje në zhvillim mendor. Janë shfrytëzues të skemës sociale dhe janë nga komuna e Dardanës por që janë vendosur në Gjilan”, ka thënë ai.
Kurse Sabit Shkodra, zëdhënës i Gjykatës Themelore në Gjilan deklaron se deri tash nuk ka ndonjë rast të hapur për familjen në fjalë. “Jo nuk kemi pranuar asnjë lëndë për këtë familje dhe nuk ka asnjë procedurë të mëhershme e cila është zhvilluar ndaj prindërve të këtyre fëmijëve”, ka thënë ai, raporton korrespodenti i Kohës Ditore në Gjilan.
Gazeta ka shkuar edhe te shtëpia e familjes në fjalë për të marrë një prononcim mirëpo përkundër përpjekjeve askush nuk është përgjigjur.
