Kuvendi i komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhje inauguruese, në të cilën kanë bërë betimin anëtarët e rinj të Kuvendit dhe kryetari i komunës, Agim Veliu, i cili është zgjedhur edhe për një mandat të ri katërvjeçar, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Në mbledhjen inauguruese të Kuvendit të Komunës së Podujevës, të cilën e kryesoi këshilltari më i vjetër i legjislaturës së re, Mehmet Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, këshilltarët komunalë dhe kryetari i zgjedhur i Komunës, Agim Veliu, kanë bërë betimin solemn dhe kanë nënshkruar deklaratën, transmeton Koha.net.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPas bërjes se betimit solemn, Veliu, mbajti një fjalim para këshilltarëve dhe mysafirëve të shumtë pjesëmarrës në mbledhjen inauguruese.
“Në këtë ditë solemne të betimit, që shënon fundin e një mandati të suksesshëm dhe fillimin e një mandati të ri në shërbim të qytetarëve edhe për katër vitet e ardhshme, ju ftoj që këtë detyrë fisnike, por edhe sfiduese, ta bëjmë mandat për qytetarët, nevojat dhe kërkesat e tyre”, tha Veliu.
Më tej Veliu tha se, “nuk ka më mirë se të jesh në gjendje për të punuar së bashku me qytetarët llapjanë në ndërtimin e qytetit dhe fshatrave tona, por edhe në ndërtimin e një vizioni të përbashkët se si duam ta shohim të ardhmen tonë”.
“Pavarësisht se qytetarët llapjanë me votën e tyre ma besuan përgjegjësinë që edhe një mandat qeverisës të jem në krye të Komunës, nuk dua që sot askush në këtë sallë, apo ata qytetarë në shtëpitë e tyre, që në zgjedhje nuk më votuan, të ndjehen humbës. Përkundrazi, në këtë garë nuk ka fitues dhe humbës, ka vetëm një vendim demokratik se kë duan qytetarët llapjanë t’u shërbejë në katër vitet e ardhshme. Nga kjo foltore e Kuvendit ju them të gjithëve, se do të jem në shërbimin tuaj, pa dallim partie, fshati a lagjeje. Llapi vërtetë është i madh, por jo aq i madh sa ta ndajmë në fshatra e lagje, parti e ego personale. Podujeva ka nevojë për të gjithë neve, dhe këtu në këtë sallë, po e theksoj, se do të punoj për Podujevën si tanësi”, tha Veliu.
Ai më tutje ka shtuar, “ju drejtohem në veçanti juve këshilltarëve, të të gjitha partive politike. Ejani të diskutojmë. Ejani te unë në zyrë, siç do të vij edhe unë tek ju, për t’ua shtrirë dorën e bashkëpunimit, për projektet dhe idetë tuaja, në funksion të zhvillimit të qytetit”.
“Unë kam programin tim, por jam i sigurt se edhe ju në programet tuaja keni projekte të mira për qytetarët pa dallim. Prandaj, ju ftoj, duke ju kërkuar njëkohësisht të bëni opozitën e fuqishme, të bashkëpunojmë e jo të grindemi. Të diskutojmë me argumente dhe fakte, në të mirë ose në kundërshtim të një ideje. Ju siguroj, se ne do t’u shërbejmë më shumë interesave të qytetarëve nëse bashkëpunojmë, sesa nëse mbajmë inate dhe grindemi. Ne kemi një buxhet modest, të pamjaftueshëm për t’i zgjidhur të gjitha nevojat e qytetarëve. Është e vërtetë, buxheti ka ardhur duke u rritur, por janë rritur edhe nevojat e qytetarëve. Qyteti po rritet, fshatrat po zhvillohen. Prandaj, po rriten edhe nevojat e standardit të ri jetësor”, tha Veliu.
Veliu ka thënë se nëse punojnë së bashku do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.
“Pra, në mënyrë që ta shpenzojmë mençur e me nikoqirllëk buxhetin tonë të pamjaftueshëm, ne duhet të dalim me projektet më të mira, më të nevojshme për momentin, dhe me një kosto më efektive. Po punuam së bashku, ne do të jemi në gjendje t’i identifikojmë shumë projekte të tilla të cilat do ta përmirësonin jetën e qytetarëve. Në zgjedhje, vërtetë garuam me siglat tona partiake, por këtu jemi përfaqësues të qytetarëve para së gjithash. Këtu na ka sjellë qytetari. Partia na ka nominuar, por ju, dhe unë, jemi këtu, sepse kështu ka zgjedhur qytetari. Prandaj, ju ftoj që në këtë tempull të demokracisë, të diskutojmë e të mendojmë për problemet e qytetarëve si përfaqësues legjitim të tyre. Ju siguroj se unë i pari do të bëj kështu”, ka thënë ai.
Kuvendit Komunal i Podujevës në mandatin ardhshëm përfaqësohet nga këshilltarë prej gjashtë subjekteve politike. Lidhjen Demokratike të Kosovës e përfaqësojnë 15 këshilltarë, Lëvizjen Vetëvendosje nëntë këshilltarë, Partinë Demokratike të Kosovës shtatë këshilltarë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dy këshilltarë, Balli Kombëtar Demokrat një këshilltar dhe Partinë e Drejtësisë një këshilltar.