Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zogiani: Vetëm VV mund t’i jap fund pushtetit në Fushë-Kosovë

Kandidati për kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani ka thënë se qytetarët do të duhej ta largonin administratën në Fushë Kosovë edhe me protesta për shkak të gjendjes në institucionet shëndetësore dhe arsimore.

Zogiani për KosovaPress ka thënë se me kandidimin e tij, qytetarët e Fushë-Kosovës, sipas tij, kanë parë shpresë se më në fund po i vjen fundi pushtetit i cili nuk ka punuar mirë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me planin e tij qeverisës, Zogiani ka premtuar një administratë të përgjegjshme që prioritet i ka qytetarët e jo bizneset.

“Kam parë që këtu, në këtë administratë, kërkohet një sfidim serioz edhe një kandidat, dhe unë kam menduar që nuk ka ndonjë parti ose ndonjë kandidatë tjetër që mund ta bëjë këtë përveç se Vetëvendosjes, përkatësisht kandidatura ime, kështu që njerëzit e kanë parë kandidimin tim me shpresë. Unë shoh për ditë njerëz që kanë shpresë se më në fund po vjen përfundimi i një pushteti që nuk ka punuar mirë.... Qytetarët e komunës së Fushë-Kosovës së pari do të kenë një administratë të përgjegjshme, një administratë që sheh prioritet e tyre e jo të bizneseve që janë të lidhura me komunë, deri sot kudo që sheh, sheh që janë implemtu interesat e bizneseve e jo të qytetarëve ”, tha ai.

Ai po ashtu ka thënë se humbjen në këto zgjedhje e ka nuhatur edhe pushteti aktual, prandaj kanë filluar të punojnë në kohë fushate duke bërë se kinse po kujdesen për interesat e qytetarëve.

Zogiani ka thënë se ka vendosur t’i hyjë garës për kryetar të Fushë-Kosovës për shkak se Vetëvendosje ka një mentalitet të ri politik i cili mund të sjellë ndryshime në këtë komunë.

“Sepse Vetëvendosje përfaqëson një mentalitet të ri politik, do me thënë kemi të bëjmë me një mentalitet që është parë, nëse asnjë gjë tjetër nuk ka ndodh ta supozojmë për shembull me Prishtinë, atëherë kushdo që shkon në qendrat klinike për mjekësi familjare e sheh që është një ndryshim i jashtëzakonshëm... Unë mendoj që Vetëvendosje si e tillë përfaqëson një gjeneratë të re edhe një mentalitet të ri politik, kështu që kjo është një garancë. Tjetra është ekspertët që mblidhen. Unë kam qenë i befasuar në momentin që kam ardhur në zyrë edhe kam paralajmëruar kandidimin tim, unë jam befasuar prej numrit të ekspertëve për të më ndihmuar, për të analizuar situatën për të dhënë kontributet e ekspertëve”, tha ai.

Ai tha se për 12 vite, Fushë-Kosova ka pasur të njëjtin pushtet i cili ka kriza qeveritare, dhe që qytetarët do të duhej me protesta ta kërkonin dorëheqjen e kësaj administrate.

“Sepse Fushë-Kosova ka një pushtet qe 12 vjet, të njëjtit njerëz, të njëjtit drejtorë vetëm kalojnë nga një zyre tek tjetra sepse Fushë-Kosova nuk ka investime përveç se ka ndërtuar asfalt, ka krizë të jashtëzakonshme qeveritare. Unë bile kur e kam parë situatë në teren kam thënë edhe po të mos kishte zgjedhje, qytetarët e Fushë-Kosovës do të duhej të qoheshin, duhej të kërkonin shkarkimin e kësaj administrate, gjendje në të cilët janë institucionet shëndetësore, arsimore në Fushë-Kosovë jep arsye për qytetarët e Fushë-Kosovës të kërkojnë edhe me protesta dorëheqjen e administratës aktuale, tash iu kemi dhënë shansin që me votë ta bëjnë këtë ”, tha ai.

Shtyllat kryesore në të cilat do të fokusohet programi i tij qeverisës janë përmirësimi i gjendjes së arsimit, shëndetësisë dhe ujësjellësit, pasi sipas Zogianit këta sektorë janë në gjendje alarmante.

“Sigurisht që janë disa sektorë më emergjentë, për shembull problemi i ujit është një problem për të cilin ka premtuar kryetari aktual në një nga intervistat e tij në 2009 që do ta rregullojë, do me thënë janë bërë 8 vjet që nuk ka bërë asnjë gjë. Problem tjetër është arsimi. Në Fushë-Kosovë shkolla ka qenë konkurrente për nga kualiteti me Prishtinën.... tash unë shoh prindër që dëshpërohen shumë kur janë të detyruar t’i regjistrojnë fëmijët për shkak të kërkesës gjeografike të regjistrojnë në shkollë të mesme në Fushë-Kosovë, thjeshtë i kap paniku për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Natyrisht ka sektorë të tjerë, për shembull shëndetësia është në gjendje alarmante. Prapë po them, do të duhet vetë administrata shëndetësore të kërkojë dorëheqjen e kësaj qeverisje, sepse nuk ka ujë në qendrën klinike familjare”, tha ai.

Lidhur me planin urbanistik për qytetin e Fushë-Kosovës, Avni Zogiani ka thënë se me qeverisjen e tij do të ndërpritet ndërtimi për një kohë të caktuar.

Ai po ashtu tha se për pushtetin aktual të Fushë-Kosovës në rend të parë janë interesat e kompanive ndërtuese duke i lënë anash interesat e qytetarëve.

“Hapi i parë mendoj unë që duhet të bëhet është të ndalen këto praktika sipas gjasave të ndërpritet ndërtimi një herë për një herë, të bëhet një shikim i terrenit edhe pse ne e kemi parë terrenin ka grupe ekspertësh që e kanë analizuar situatën edhe situata është alarmante, do me thënë për tërë këtë kohë të ndërtimit në plan të parë për komunën e Fushë-Kosovës kanë qenë interesat e kompanive ndërtuese edhe nuk janë marrë fare me interesin e qytetarëve, nuk ka hapësira të gjelbra, nuk ka parkingje, nuk ka vende ku qytetari mund të kalojë kohën e lirë përveç se në kafe”, tha tutje ai.

Ndërsa, mungesa e eksperiencës në politikë thotë se nuk ia ka siguruar votat për t’u zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e qershorit.