Arbëri

Tahiri: Jeta e qytetarëve në Vushtrri ka degraduar

Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, thotë se komuna në të cilën ai po kandidon në zgjedhjet lokale të 22 tetorit e ka degraduar jetën e qytetarëve.

Sipas tij, diskriminimi në bazë të partive ka qenë shumë i pranishëm në vjetët e fundit dhe kjo e ka shtyrë që të hyjë në garë për të parin e qytetit.

“Duke e pa që në Vushtrri pushteti i vjetër i PDK-së që tri mandate ka degraduar jetën e përditshme të qytetarëve, kam vendosur që t’i hyj kësaj sfide. Pres që qytetarët ta vlerësojnë kontributin dhe angazhimin e një të riu që ka pas përgjegjësi edhe politike në të kaluarën, por që është shkolluar gjithandej nëpër botë që t’u shërbejë qytetarëve”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Duke thënë se nuk e ka menduar kurrë se një ditë do të hyjë në këtë garë, Tahiri ka shtuar se më së shumti është bindur nga ankesat që ka dëgjuar nga qytetarët.

“Se kam menduar kurrë që një ditë do të kandidoj për kryetar. Në Vushtrri ka ndodhur një diskriminim i madh i banorëve që jetojnë nëpër lagje e nëpër fshatra. Janë nda në baza të votave. Kam qenë në familje që nga PDK u është thënë se nëse do të më votoni do të ua bëj kanalizimin”, ka shtuar më tej ai.