Garë e ngushtë pritet të jetë në Ferizaj mes partisë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Së paku kështu kanë vendosur lexuesit e portalit Koha.net në sondazhin tashmë të përditshëm në Facebook.
Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Ferizajt, Faton Topalli, është përmendur më shumë se 250 herë në pyetjen e Koha.net se “Cili prej kandidatëve do të fitojë në garën për Ferizaj?”
Agim Aliu i PDK-së është përmendur në 211 komente në faqen e portalit në Facebook.
Kryetari i tanishëm i Ferizajt, po ashtu i kandiduar përsëri në këtë garë, Muharrem Sfarqa i LDK-së është përmendur në 151 komente. Amir Rexhepi i AKR-së ka 88 komente, ndërsa Xhavid Zariqi i AAK-së 31.
Pesë komente ka Besnik Berisha i Nismës. Bashkim Fazliu i NQF-së është përmendur dy herë, ndërsa Qazim Rahmani një herë.
Portali Koha.net ka nisur një seri të matjes së perceptimeve të qytetarëve për zgjedhjet lokale, përmes pyetjeve që po u drejton lexuesve të vet, sado që kjo matje nuk mund të konsiderohet plotësisht e saktë.
Më poshtë mund të shihni komentet e lexuesve tanë në lidhje me Ferizajn.