Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjilani dhe USAID, memorandum mirëkuptimi për ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies në prokurim

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe drejtori i misionit të USAID-it, James Hope, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi, i cili ka për qëllim të ngritë shkallën e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik në Kosovë.

Në fjalën e tij, Haziri ka falënderuar USAID-in për bashkëpunimin e treguar deri më tani përmes investimeve të shumta në Gjilan, duke treguar gatishmërinë e Gjilanit për vazhdim të proceseve edhe në të ardhmen me programe dhe projekte të tjera të përbashkëta në shërbim të qytetarëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Falënderoj drejtorin e USAID-it në Kosovë z.Hope për mbështetjen e dhënë për Komunën e Gjilanit, në kuadër të programit për transparencë dhe mbështetje për Kuvendin e Komunës që u nënshkrua tashmë. Është marrëveshje për periudhën e ardhshme pesë vjeçare, marrëveshje që determinon përkushtimin e madh të qeverisë amerikane dhe taksapaguesve amerikan, për të ndihmuar qëndrueshmërinë dhe ndërtimin e kulturës së transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit në shërbim të të gjithë qytetarëve të Komunës së Gjilanit, pavarësisht etnisë, besimin dhe përfaqësimin e tyre politik që e kanë në Kuvendin Komunal”, tha Haziri.

Ai ka shtuar se qëllimi i këtij program është ndërtimi i kulturës institucionale të transparencës dhe angazhim për të drejtën që qytetari të jetë i informuar, pjesëmarrës dhe i angazhuar në vendimmarrje.

“Më lejoni që përveç këtij programi, shumë të rëndësishëm për të gjithë ne, ta falënderoj drejtorin e USAID-it për mbështetje edhe në programe të tjera. Ne sot kemi vizituar çerdhen në lagjen ‘Dardania’ e ndërtuar përmes programit ‘G to G’, në lagjen ‘Dardania’, që mbulon nevojat e mbi 15 mijë qytetarëve të kësaj lagjeje. Pastaj investimi në programin e infrastrukturës në fshatin Livoç i Epërm, që kanë qëllim ndërtimin e rrugës dhe hapësirave të tjera të lira për qarkullim në këtë fshat, pastaj ndërtimi shkollës në fshatin Ponesh dhe shumë programe të tjera që Gjilani është përfitues i drejtpërdrejtë”, ka deklaruar kryetari Haziri.

Kreu i Gjilanit, po ashtu, ka përmendur edhe mbështetjen shumë të madhe të dhënë edhe në prokurimin elektronik, që siç tha, përveç ndërtimit të kapaciteteve dhe kulturës që ne e kemi ndërmarrë si Komunë do të punojmë që kjo zyre përmes programit elektronik besimi të rritet edhe më tutje dhe janë vetëm disa nga programet në të cilat kemi mbështetjen e fuqishme të USAID-it.

Ndërkohë, James Hope ka thënë se Komuna e Gjilanit tashmë është një partner strategjik i USAID-it, në adresimin e shumë çështjeve zhvillimore në Kosovë dhe projektet e financuara janë plotësisht në shërbim të qytetarëve dhe komunitetit.

“Ne sot vizituam çerdhen e fëmijëve në lagjen ‘Dardania’, ku kemi parë nga afër shembullin shumë të mirë të partneritetit mes USAID-it dhe Komunës së Gjilanit. Marrëveshja e nënshkruar sot është kapitull i ri i partneritetit dhe në këtë periudhë ne do të punojmë që ta modernizojmë dhe përmirësojmë funksionimin e prokurimit publik në Gjilan. Qëllim kemi rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik dhe angazhimi ynë është që këto katër komuna, të jenë shembull për Komunat tjera në Kosovë”, u shpreh ai.

Hope ka thënë se e gjitha kjo fillon me përkushtimin e kryetarit të Komunës, zyrtarit të prokurimit, auditimit dhe zyrtarëve të tjerë të prokurimit publik nëpër komuna.

Kurse, kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka falënderuar drejtorin e USAID-it për mbështetjen e dhënë për Gjilanin në fusha të ndryshme, duke treguar gatishmërinë e madhe për punë të vazhdueshme.

“Ndjehem e privilegjuar që sot jam nënshkruese e kësaj marrëveshje e cila ka të bëjë me transparebncën. Falënderoj kryetarin Haziri që ka krijuar këtë rrjet kaq të madh të miqve të Gjilanit. Bashkëpunimi i legjislativit dhe ekzekutivit në Gjilan është jashtëzakonisht i mirë pa dallime pozitë-opozitë. E falënderoj Zyrën për Informim, pasi falë tyre, ne po arrijmë të jemi kampion për transparencë në Kosovë. Vendimet e Kuvendit Komunal merren me diskutim të hapur nga përfaqësuesit e qytetarëve dhe me mbështetje të plotë edhe të nivelit ekzekutiv. Falë bashkëpunimit të krijuar mes Kuvendit dhe ekzekutivit, është arritur një performancë e shkëlqyeshme”, ka thënë ajo.

Iniciativa e USAID-it Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse është një aktivitet pesëvjeçar i cili do të përmirësojë transparencën e prokurimit komunal përmes një procesi të ri të e-prokurimit. Ky aktivitet do të sigurojë mentorim dhe trajnim në pesë komuna me qëllim të instituimit të sistemeve të cilat do të avancojnë mënyrën e llogaridhënies për fondet publike dhe shpenzimet.