Arbëri

Podujeva synon t’i mbrojë pyjet nga shkatërrimi duke përdorur dron

Në regjionin e Prishtinës komuna e Podujevës është më e prekura sa i përket prerjes ilegale të pyjeve.

Për t’i mbrojtur pyjet nga shkatërrimi dhe zjarret e mundshme, kjo komunë ka dalë me një propozim.

Përmes përdorimit të dronit, nënkryetari i kësaj komune synon që të parandalojë në masë të madhe shkatërrimin e pyjeve, raporton KTV.

E këtë iniciativë, Rudari thotë se do ta realizojnë bashkë me Agjencinë e Pyjeve, derisa beson se do të ishte mirë që të gjitha qytetet në vend ta marrin një hap të tillë.

Në Agjencinë për Mbrojtjen e Pyjeve e mirëpresin këtë ide, e cila ka për qëllim mbrojtjen e pyjeve.

Megjithatë, sipas drejtorit për menaxhimin e Pyjeve në Rajonin e Prishtinës, dronët nuk mund të sigurohen nga kjo agjenci pa plotësim-ndryshimin e Ligjit.

Për çdo vit, me mijëra hektarë pyje nëpër të gjitha komunat dëmtohen nga prerja ilegale, ndërsa komunat të cilat më së shumti po pësojnë janë ajo e Ferizajt, Podujevës dhe Prizrenit.