Është përuruar Qendra Kulturore për Komunitete në Mitrovicë, e para e këtillë në tërë vendin.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri tha se kjo është një ditë e veçantë dhe e rëndësishme për komunitetet që jetojnë në Komunën e Mitrovicës, pasi që tani u janë krijuar kushte më të mira për aktivitetet e tyre kulturore e të tjera.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Jam i lumtur që komuna ka kontribuua në ndërtimin e këtij objekti me rëndësi të veçantë për komunitetet që jetojnë në komunën tonë. Pjesëtarët e komuniteteve tani mund të zhvillojnë aktivitetet të ndryshme për ruajtjen e vlerave kulturore dhe të tjera. Këto hapësira ju mundësojnë që të takohen dhe të realizojnë projektet e tyre që i kanë planifikuara, të zhvillojnë edhe më shumë frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërmjet tyre, por edhe në raport me shumicën. Ne do të vazhdojmë të mbështesim komunitetet edhe në të ardhmen në mënyrë që ato të ndihen mirë dhe të barabartë në komunën tonë”, tha ai ndër të tjera.
Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kivilcim Kiliç, tha se ndihet mirë kur merr pjesë në aktivitete të këtilla që kanë për qëllim krijimin e kushteve për komunitetet me qëllim të zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme kulturore e të tjera.
“Kultura, muzika, arti janë gjuhë e përbashkët e njerëzimit. Përmes tyre komunitetet ofrohen ndërmjet veti dhe kultivojnë vlerat e tyre të posaçme dhe të përbashkëta. Shpresoj se kjo qendër do të ndikojë që komunitetet në Mitrovicë të përafrohen edhe më shumë dhe të kultivojnë vlerat e tyre kulturore”, tha ndër të tjera ajo.
Ndërkaq, Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagghillar tha se kjo qendër do të jetë shtëpi e përbashkët për komunitetet e komunës së Mitrovicës.
“Ishte një iniciativë e cila gjeti përkrahjen kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri dhe Ministrisë, pasi që ajo kishte të bëjë për krijimin e kushteve për të gjitha komunitetet që jetojnë këtu. Shpresoj se shtëpi të këtilla kulturore do të ndërtohen edhe në qytetet tjera të Kosovës, tha ai.
Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, për komunitete, Eroll Zekeria, tha se Mitrovica ka pasur nevojë për një qendër të këtillë, ku do të takoheshim dhe do të zhvillonim aktivitetet tona.
“Tani qendrën e kemi dhe do të punojmë dhe bashkëpunojmë mirë, si dhe do t’i kultivojmë vlerat tona kulturore, por edhe do të zhvillojmë edhe aktivitete tjera që janë në të mirë të të gjithë qytetarëve të komuniteteve dhe që ndikojnë në përafrimin e tyre”, tha ai.