Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pastrohet Liqeni i Batllavës dhe vendosen shportat e mbeturinave

Inxhinierët pa Kufinj (Engineers Without Borders Kosova) me përkrahje financiare nga Ambasada e Dukatit të Madh të Luksemburgut, kanë vendosur sot paradite shporta nëpër hapësirat përreth Liqenit të Batllavës, si dhe kanë zhvilluar një aksion për pastrimin e këtyre hapësirave.

Vigan Jashari nga Organizata joqeveritare “Inxhinjerët pa Kufinj”, tha se hapësira përreth Liqenit të Batllavës është pastruar para jo më shumë se dy javësh, por në ndërkohë e njëjta është mbushur plot mbeturina nga vizitorët e pakujdesshëm.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

"Sot kemi organizuar një aksion pastrimi të hapësirave rreth Liqenit të Batllavës. Pjesë e projektit është edhe vendosja e shportave për mbeturina rreth plazheve, të cilat janë duke u punuar momentalisht. Po shpresojmë që me vullnetarët që i kemi mbledhë kemi me bo një punë të mirë sot" tha Jashari.

Sa i përket arsyeve për përzgjedhjen e Batllavës si lokacion për aksion pastrimi, Jashari tha se hapësira përreth Liqenit të Batllavës duhet të jetë shumë më e pastër dhe më e mirë për shkak se ajo është një destinacion turistik për Kosovën, jo vetëm për ata që nuk i kanë mundësitë të vizitojnë bregdetin gjatë verës por po ashtu edhe për të gjithë të rinjtë e Kosovës që mund ta vizitojnë liqenin.

Arsyeja tjetër sipas Jasharit është se ky liqen i furnizon shumicën e qytetit të Prishtinës me ujë.

"Pjesa tjetër është që Liqeni i Batllavës e furnizon shumicën e qytetit të Prishtinës me ujë. Tash krejt këto mbeturina shkojnë në ujë, e ndotin ambientin, i dëmtojnë speciet e peshqve që janë në liqen, edhe në të njëjtën kohë të njëjtat mund të na vijnë në gotat tona, shtëpitë tona," tha Jashari për KosovaPress.

Në mesin e vullnetarëve që i ishin bashkangjitur iniciativës për pastrim, Mimoza Karameta nga qyteti i Lipjanit, e cila tha se është obligim moral i çdo qytetari të mos hedhë mbeturina, dhe nëse mbeturinat hidhen të paktën të dalin disa vullnetarë t’i largojnë ato.

"Iniciativës më ka shty me iu bashkëngjitë kjo rrëmujë që është këtu, dhe e falënderoj shumë organizatën Engineers Without Borders që e ka bo këtë organizim dhe na ka mundësu edhe neve si vullnetarë që jemi me i mbledhë këto mbeturina" tha ajo.

Karameta po ashtu tha se është shumë e rëndësishme të bëhen aktivitete të tilla, dhe se shpreson se nuk do ketë nevojë më për këso lloj aktivitetesh në rend të parë dhe se qytetarët do vetëdijesohen dhe të mos ta ndotin ambientin.

Rreth mesditës shportat e blera me financimin e ambasadës së Luksemburgut janë vendosur në hapësirat përreth liqenit.