Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK: Pushteti në ikje i Ferizajt, nuk la gjë pa bërë e pa degraduar

Në një vend demokratik, opozita është jetike për mbarëvajtjen e demokracisë. Është jetike sepse ajo paraqet alternativat e saj, mendimin ndryshe nga ajo e strukturë qeverisëse, apo e thënë thjesht “dy mendje, janë një mendje”! Fatkeqësisht siç është parë kjo qeveri që po sundon me Ferizajn, nuk ka asnjë, sepse ka treguar që nuk respekton mendimin ndryshe (opozitën), nuk respekton ligjet, nuk respekton kuvendin, nuk respekton punëtorin e mbi gjitha nuk respekton qytetarët e Ferizajt!

Kështu thuhet në një reagim të PDK-së, dega në Ferizaj, e cila thotë se me dhjetëra herë e kanë thënë se ky kryetar e ka degraduar aq shumë Komunën sa që e ka vendosur atë buzë falimentimit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Degradimi i këtij institucioni erdhi si pasojë e keqqeverisjes nga kryetari Sfarqa së bashku me ekipin e tij qeverisës”, thotë PDK e këtij qyteti.

Sipas kësaj partie Komuna e Ferizajt sot është zhytur në borxhe nga më të ndryshmet që shifrat janë marramendëse, milionëshe.

“Sot kompanitë publike janë në prag të falimentimit, punëtorët e këtyre kompanive nuk arrijnë të marrin as pagat me muaj të tërë. Kjo është pasojë e stërngarkimit me familjarë dhe militantë partiakë të këtyre pushtetarëve që u punësuan pa asnjë kriter, vetëm kriterin familjar”, thekson dega e PDK-së në Ferizaj.

Ky subjekt politik ka përmendur edhe punëtorët që janë punësuar përmes CARITAS-it dhe thotë se gjendja është shqetësuese.

“... pavarësisht që ne si opozitë patëm reaguar për keqmenaxhimin e këtij bashkëpunimi, sepse edhe këtu u dërguan punëtorë partiakë e familjarë dhe u bënë një mori “dallavere” të tjera. Nga numri i madh punëtorëve që u morën nga kjo marrëveshje, Komuna, respektivisht qeverisja Sfarqa, bëri uljen e pagave nën pagën minimale, por fatkeqësia tjetër është që pikërisht këta punëtorë ranë pre e mashtrimeve sepse nuk u punësuan, por u robëruan, ngase pagat nuk arrijnë t’i marrin me nga tre - katër muaj”, theksohet më tej në reagimin e PDK-së, dega në Ferizaj.

Ky subjekt politik thotë se situatë e ngjashme mbretëron edhe me punëtorët që janë angazhuar në Komunë përmes kontratës për shërbime të veçanta, dhe thotë se edhe për këtë problematikë PDK pati reaguar duke i këshilluar këta individë, “pavarësisht që janë militantë dhe të afërm të qeverisë, që mos të bien pre e mashtrimeve politike të këtij pushteti”.

Të njëjtit, thotë PDK, sot nuk paguhen me nga 7-8 muaj në shumë raste edhe nuk u bëhet pagesa fare.

“Shumë nga këta punëtorë kërkojnë ndihmë nga ne për të bërë presion publik mbi këtë pushtet për t’i ju bërë pagesat”, thekson PDK e Ferizajt.

Kjo degë e PDK-së thotë se ndiejnë ndiem keqardhje të madhe për këta, siç i quan, “punëtorë viktima” dhe për gjendjen në të cilën janë, sepse “jemi të vetëdijshëm që të gjithë këta kanë familje që varen pikërisht nga kjo pagë, por siç duket ky kryetar me bashkëpunëtorë nuk kanë halle të tilla, hallet e tyre janë që përmes zhvatjes së pushtetit të rrisin pasurinë personale”.

Në fund, dega e PDK-së në Ferizaj i ka bërë apel Kryetarit që sa më shpejt të ju bëhen pagesat e tyre ose të dalë para tyre dhe të bëhet i sinqertë me ta që nuk ka mundësi të ju bëjë zgjidhje.