Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shitet parcela, banorët e një lagjeje të Prizrenit mbeten pa rrugë

Afro 100 familje që banojnë në rrugën “Ali Pashë Tepelena” të Prizrenit prej pesë muajsh kanë mbetur pa qasje në rrugë, ngase parcela në të cilën kalonte kjo rrugë është shitur.

Aktualisht ata mbeten të bllokuar pavarësisht ankesave te pushteti lokal, i cili nuk ka arritur të gjejë zgjidhje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Zyrtarë të Komunës së Prizrenit kanë theksuar se dikasteret e Qeverisë lokale po punojnë për adresimin e këtij problemi, pavarësisht se bëhet fjalë për një lagje informale. Por lidhur me këtë çështje banorët së fundmi kanë zhvilluar edhe një protestë. Njëri nga banorët dhe përfaqësuesit e kësaj rruge, Nazmi Morina, para gazetarëve ka shprehur qëndrimin se ka pesë muaj që ky komunitet ka mbetur pa rrugë.

“Në komunë kemi qenë dhjetëra herë. Na premtojnë se do të bëhet zgjidhja, por punë nuk kryejnë. Njëqind shtëpi jemi pa rrugë”, ka thënë ai, teksa ka përkujtuar se vite më parë kryetari i Komunës, Ramadan Muja, ishte zotuar se do ta zgjidhte këtë problem dhe se çështja do të ishte shqetësim i komunës e jo barrë e banorëve. “Vetëm një kamion me zhavorr e ka shtruar kjo qeveri lokale. Të tjerat kanë qenë premtime të kota”, ka deklaruar ai, duke sqaruar se parcela ku kalon rruga është pronë private dhe se pronari i mëparshëm i saj nuk ka krijuar asnjë problem për qarkullimin e banorëve.

Sipas tij, pronari i ri e ka bllokuar rrugën prej 5 muajsh dhe zyrtarët komunalë ende nuk kanë arritur që ta zgjidhnin këtë problem, shkruan sot më gjerësisht Koha Ditore.